Rama sulmon PD: Nuk jemi partia e Sudes dhe e Vehbiut, heqja e TVSH nuk ul çmimet e tregut
A ka marrë në konsideratë qeveria planin e PD-së me 7 pika për përballimin e krizës energjetike?
Kryeministri Edi Rama la të kuptojë se në këtë plan që po ndërmerr për përballimin e krizës energjetike, propozimet e Partisë Demokratike janë si ato të firmave piramidale të 1997.
“Ne nuk jemi partia e Sudes e Vebiut. Teoria ul këtu, hiq aty, hiq aty ka një problem. Këto janë të gjitha para që ikin. Me se do të bëjë qeveria mbrojtjet nëse heqin mundësitë financiare që krijohen nga kontributet? Me çfarë? Se ne flasim për Gjermaninë, Francën, e Bullgarinë. Ekonomia nuk rritet me subvencione e konvergjenca por me rritje të prodhimtarisë dhe investimeve" tha Rama për gazetarët pas mbledhjes së sotme të qeverisë (8 tetor 2021)
Më tej Rama shtoi se synon të mos cënojë prodhimin dhe investimet për përballimin e krizës.
"Nuk duam të cënojmë këto të dyja. Bëmë të njëjtën gjë edhe në kohën e tërmetit edhe në kohën e pandemisë dhe prandaj e kemi sot rritjen 18% më të lartë në rajon në tremujorin e dytë. Rritja 18% nuk është 18% më shumë se përpara se të rrëzoheshin por rritje ekonomisë që po ngrihet fuqishëm pasi u rrëzua.
Nuk duhet të ndalim rrugën e rritjes ekonomike përmes investimeve që kemi planifikuar, duke u zhytur e mbytur në këtë krizë dhe duke u marrë vetëm me këtë.
Le që heqja e TVSh-së historikisht nuk ka treguar se ul çmimet se çmimet i vendos tregu. Se qeveria në ekonominë kapitaliste nuk ka kapacitet ti imponohet privatëve sa do të shesin produktin e tyre.”
Kryeministri thotë se nesër do të prezantojë një plan për të cilin ai do të ndihmojë në përballimin e krizës.
Tek energjia kapaciteti i qeverisë në Shqipërisë vjen nga fakti që ne kemi mundësi të ushtrojmë një kontroll të caktuar mbi çmimin pasi këtu është dhe shteti në mes si prodhues e jo shpërndarës."
Kush janë 7 propozimet e PD?
Më 3 tetor 2021 kryetari Lulzim Basha beri publike propozimet e PD-se per perballimin e krizes energjetike
1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;
2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;
3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;
4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;
5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.
6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.
7 - Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.
