Kriza e energjisë/ Rama mbledh qeverinë, nesër plani për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël
Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte (8 tetor) qeverinë për të diskutuar mbi paketën ligjore për të përballuar ndikimin që do të ketë shtrenjtimi i energjisë në tregjet globale.
Mbledhja nisi në orën 09:00 dhe përfundoi në 09:30.
Pas saj, Rama në një konferencë për mediat njoftoi se planin për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël nga efekti që mund të ketë një rritje e pakontrolluar e çmimeve do ta bëjë publik nesër.
Një ditë më parë, ndërsa debatonte me opozitën, Rama u shpreh: "Zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij populli, ti them kjo është situata, kjo është përballja. Nuk do ta lëmë vetëm as tani. Mos u ngutni t'u thoni do tu rrisë çmimin e energjisë gogoli se do të dilni shumë keq".
E ndërsa Qeveria pritet të subvencionojë familjet me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla, çmimet e larta do të duhet ti përballojnë bizneset e mesme dhe të mëdha si dhe personat që kanë paga të mesme dhe të larta.
Në fakt rritja e çmimeve ka nisur të ndihet por ministrja e Financave ka paralajmëruar se do të ketë një tjetër shtrenjtim.
Kundër kësaj situate në rrethe dhe në Tiranë kanë nisur protestat, ku kërkohet ndërhyrja e qeverisë.
