"Qeveria bën si hero që po përballon krizën", Mërtiri: Lekët e shtetit janë harxhuar në mënyrë kriminale

Ka një debat të shtuar përsa i përket rritjes së çmimeve. Rritja e çmimit të bukës, rritja e çmimit të produkteve bazë të shportës, dhe së fundmi është paralajmëruar edhe rritja e energjisë elektrike dhe karburanteve.

Ditën e sotme (6 tetor) në orën 17:00 është mbajtur një protestë para kryeministrisë për kundërshtimin e këtyre çmimeve.

Analisti Ergys Mërtiri i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini tregoi se ishte i pranishëm në protestën e sotme dhe protestoi për shkak se rritja e çmimeve është e papërballueshme për një vend kaq të varfër.

Mërtiri: "Ka njerëz që mezi e shtyjnë muajin, ka njerëz që rrojnë me ndihmat e të tjerëve, ka njerëz që rrojnë me asistencë. Nuk është kategori e vogël e njerëzve që jetojnë me një pagë prej 300 mijë lekësh. Fakti që këto gjëra bëhen serbes, qeveria del aty dhe bën si heroi që po përballon dhe ai me ne të gjithë krizën për mua është fyese sepse në fund fare Edi Rama nuk vuan asgjë nga këto. Ata që vuajnë janë njerëzit që ai qeveris dhe vuajnë për shkak të faktit që ai nuk merr masa për t'i mbrojtur. Qeveria për çfarë është në fund të fundit? Në raste krizash dhe problemesh qeveria duhet të dalë dhe të përkrahë ata që cenohen nga të tilla gjëra. Qeveria nuk e bën këtë detyrë."

Analisti u shpreh se në Shqipëri ka nevojë të protestohet dhe të reagohet në mënyrë që qeveria ta dijë se ka njerëz të cilët thonë "ndal." Sipas tij, kjo qeveri i ka bërë njerëzit që të vetmen zgjidhje të shohin ikjen dhe emigrimin.

Mërtiri: "Në këtë vend ka nevojë të protestosh qoftë dhe për të mbajtur gjallë shpirtin reagues të njerëzve, për të mbajtur gjallë idenë që në këtë vend ka njerëz që dinë të thonë "ndal" dinë të reagojnë, dinë të thonë "mos u tall me ne" dhe e shprehin këtë në çdo mënyrë. Sot shohim se vendet më të varfra janë vendet ku protestohet më pak. Kjo qeveri i ka bërë njerëzit që të vetmen zgjidhje të mendojnë ikje, emigrimin dhe jo reagimin apo presionin ndaj qeverisë."

Mërtiri e quajti kriminale harxhimin e parave publike nga ana e qeverisë. Sipas tij, në 8 vite lekët janë harxhuar për aredime dhe zbukurime luksi dhe nuk i janë dhënë qytetarëve, pavarësisht se kanë dalë nga xhepat e tyre.

Mërtiri: "Qeveria ka hallin si të grabisë votat, si të rregullojë me disa oligarkë biznese jo vetëm për të fituar vetë, por edhe sepse përmes oligarkëve arrin ët blejë vota për të mbërritur në pushtet. Thelbi është që kjo qeveri nuk mendon. Çfarë ka bërë në këto 8 vjet? Në këto 8 vite paratë e buxhetit të shtetit janë harxhuar në mënyrë kriminale, janë derdhur miliona euro për aredime, shatërvane, stola, bulevarde etj,. gjëra të cilat janë shpenzime luksi. Në një vend ku njerëzit nuk kanë bukë të hanë dhe ti shkon e shpenzon paratë për gjëra të tilla kjo është kriminale. Kjo para nuk është e Edi Ramës, kjo para nxirret nga njerëzit."

Sipas tij, nëse qeveria mbahet nën presion dhe nëse njerëzit reagojnë, qeveria do reagojë. Kur e vë qeverinë me shpatulla pas muri, qeveria di të reagojë.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku