"Çuçi nuk e ka dashur Veliun në krye të policisë", Prençi: Rama nuk e largoi njëkohësisht me Lleshaj
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ditën e djeshme (5 tetor) dorëzoi letrën e dorëheqjes nga posti i tij. Ai do të pasohet nga Gledis Nano, emri i të cilit u zyrtarizua ditën e sotme në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar nën drejtimin e zv. kryeministrit Arben Ahmetaj.
Ish-drejtuesi i lartë i policisë, Shemsi Prençi i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se tentativat për shkarkimin e Veliut kanë filluar qëkur ishte Sandër Lleshaj në krye të ministrisë së Brendshme. Çuçi si ministrë i Brendshëm nuk e ka dashur asnjë ditë Veliun në postin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, sipas zotit Prençi.
Prençi: "Qëkur kryeministri dha urdhrin e 100 ditëve ai ishte startimi i procedurës për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Veliu. Kjo për faktin se tentativat për shkarkimin e Ardi Veliut nga detyra ishin që në kohën që ishte Lleshaj në detyrën e ministrit të Brendshëm. Për faktin se kishte shpërthyer një konflikt zoti Lleshaj nuk kishte besim te Ardi Veliu dhe stafi i tij. Çuçi nuk ka dashur asnjë ditë që të ishte Veliu në krye të policisë .
Në rikonfirmimin e Çuçit ministër i Brendshëm, normalisht që Veliu nuk do ishte në krye të Policisë. Veliu gjatë gjithë kohës që ka ushtruar detyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë e ka mbuluar këtë detyrë me konflikte dhe shkelje të rënda kushtetuese në raport me mënyrën dhe të drejtat e policimit në një vend demokratik."
Zoti Prençi e cilëson kryeministrin Rama "mjeshtër." Siaps tij, Veliu do kishte ikur që dhjetorin e kaluar (2020), kur në datën 8 të këtij muaji mbeti i vrarë Klodian Rasha nga një efektiv policie. Duke qenë se Rama nuk mund të largonte njëherësh edhe ministrin edhe drejtorin e policisë, Sandër Lleshaj me dorëheqjen e tij, i zuri vendin shkarkimit të Veliut.
Prençi: "Rama është mjeshtër, nuk i largon njëherësh edhe ministrin edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë. Shkallë-shkallë u krijua konflikti, ishte ministri Lleshaj që u viktimizua në rastin e të ndjerit Klodian Rasha. Lleshaj duke e ditur se në cilat ujëra kishte ecur dhe kishte notuar, do të viktimizohej përpara Ardi Veliut. Ishte Sandër Lleshaj ai që ja zuri radhën shkarkimit të Ardi Veliut sepse po të ishte këmbëngulur do kishte ikur me kohë."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
