Këlliçi: Gënjeshtër se jemi peng i Bullgarisë, Rama më shumë kujdeset për aparencën sesa për reformat

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, shprehet se është hera e tetë që Kryeministri Edi Rama dështon për hapjen e negociatave.

Teksa ka komentuar samitin BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, në një intervistë për Ora Neës, me gazetaren Matilda Mcini, deputeti u shpreh se  nuk kishte asnjë lajm për negociatat.

Belind Këlliçi: Jemi në fazën që për herë të tetë dështon. I vetmi lajm që është prodhuar nga samiti në Slloveni është se Edi Rama qeshi me Kryeministrin e Luksenburgut, dhe kur u takua me Kryeministrin e Hollandës të dy ishin se kush të kalonte i pari. Nuk ka asnjë lajm për negociatat.

Ai tha se deklarata e Ramës se Shqipëria është peng e vetos së Bullgarisë, është një gënjeshtër pasi proceset e negociatave janë të ndara për Maqedoninë e Veriut dhe për vendin tonë. Ai tha se qeveria shqiptare nuk ka bërë detyrat e shtëpisë që kërkohen nga BE.

Belind Këlliçi: Ka një hipokrizi shumë të madhe në procesin e negociatave në raport me Shqipërinë. Edi Rama thotë që ne jemi peng i vetos së Bullgarisë dhe kjo është një gënjeshtër. Ky proces është i ndarë dhe nuk ka asnjë arsye se përse të pengohet Shqipëria. Nëse qeveria shqiptare do të kishte bërë detyrat e shtëpisë reformat do të ishin të vërteta. Ne kemi reforma fasadë sa për sy e faqe dhe gënjejmë dhe opinionin publik dhe jemi në krizë të thellë ekonomik.

Këlliçi shprehet se Rama është i vetmi Kryeministër që censuron lirinë e medias, ndërsa thekson se kreu i qeverisë ka shkuar deri në atë pikë sa ka lëshuar tone kërcënuese për BE.

Belind Këlliçi: Samiti është hapur me debatin e madh për lirinë e medias , dhe nëse ka një Kryeministër që kontrollon mediat që censuron fjalën e lirë është Edi Rama. Sot Rama edhe ka kërcënuar BE megalomania e këtij individi psiqik, shkon deri në pikën që shkon në Samit dhe lëshon dhe tone kërcënuese ndaj BE.

Ai shtoi se ka  një arsye reale se përse për herë të 8 kancelarja Merkel thotë se Shqipëria dhe vendet e BE nuk kanë përmbushur detyrat.

Belind Këlliçi: Brenda unionit të BE ka debate , ka dhe vende që e kanë përdorur këtë. Procesi është i ndarë dhe është e shkruar sot në deklaratën politike të sekretariatit të përgjithshëm të Këshillit që avancimi i procesit të antarësimit është i bazuar në meritën e shteteve. Pra për ne bëhet një vlerësim mbi reformat që merr qeveria , mbi luftën ndaj korrupsionit, mbi respektimin e të drejtave të njeriut, trafikimin e drogës, për gjendjen e shtetit, për luftën që nuk ekziston ndaj korrupsionit, për të kuptuar që ka një arsye reale se përse për herë të 8 kancelarja Merkel thotë se Shqipëria dhe vendet e BE nuk kanë përmbushur detyrat.

Këlliçi shprehet se kemi parë dështime të Ramës në lidhje me negociatat, teksa shton se kreu i qeverisë më shumë kujdeset për aparencën sesa për reformat.

Belind Këlliçi: Rama në këto 8 vite që kur ka ardhur me premtimin që do të hapte negociatat, ne kemi parë dështim pas dështimi. Kjo ndodh për shkak të mentalitetit të Kryeministrit që më shumë kujdeset për aparencën, për veshjen, për të vënë lapsat me ngjyra sesa për reformat e vërteta me të cilat mund të shkojë në Bruksel dhe të krenohet.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.