Bare: Duam dy fitore për Botërorin, po rritem shumë si lojtar në Spanjë
Edhe Keidi Bare është një nga lojtarët më në formë për momentin. Një luftëtar që vetëm vrapon në fushë gjatë gjithë kohës dhe që është në shërbim të skuadrës. Mesfushori i Espanyol foli në konferencën për shtyp për objektivat e kuqezinjve në këto dy ndeshje dhe për aventurën e tij në La Liga me Espanyol.
Si ndihesh në kombëtare kur je dhe titullar në La Liga?
“Në Kombëtare vij gjithmonë me shumë siguri, kam besim tek lojtarët e tjerë dhe te trajneri. Dua të them se me Espanjolin po shkojnë gjërat shumë mirë. Kam luajtur rregullisht dhe shpresoj të vazhdoj kështu”.
A ndryshon stili I lojës që po zhvillon te Espanyol me atë në kombëtare?
“Edhe në Kombëtare bëj të njëjtën lojë, por në Kombëtare luajmë me sistem tjetër dhe luaj në rol tjetër. Jam më shumë në kontakt me topin te Espanjoli. Jam maksimumin kudo. Ndihem mirë në shumë role, e rëndësishme është të jem në fushë dhe të jap maksimumin. Jam ushtar që zbatoj rregullat, si këtu edhe te Espanyoli”.
Në fillim keni patur vështirësi në kampionatin spanjoll…
“Një shqiptar e ka të vështirë, kam luftuar dhe punuar shumë të arrij këtu ku jam. Nuk është shumë e lehtë, më e rëndësishme është që të vazhdoj me këtë ritëm dhe të kaloj më lartë, është e vështirë, por me punë dhe seriozitet, arrihet çdo gjë”.
Si mendoni për shanset që kemi për vendin e dytë..
“Kombëtarja e sotshme po zhvillon ndeshje shumë të mirë, pikësynimi jonë është të zëmë vendin e dytë dhe pse jo të mos të shkojmë në Botëror. Duhet përqendrim dhe çfarë na thotë trajneri. Do t’ia arrijmë qëllimit, edhe pse e dimë shumë mirë, se janë 2 ndeshje të vështira”.
Me trajnerin Reja jeni shumë i rëndësishëm…
“Më ka mësuar shumë, si të vendosem në fushë, si të vrapojë pa topin dhe me topin. Ndihem shumë mirë, i shpreh falënderime. Të vazhdojmë me këto ritme. Të futemi për të fituar në këto dy ndeshje dhe për të arritur qëllimet tona”,deklaroi mesfushori shqiptar. /Ora News/.
