Bujar Leskaj para kryemistrisë kundër rritjes së çmimeve: Opozita duhet të jetë në shesh me shqiptarët

Deputeti demokrat, Bujar Leskaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e sotme të thirrur në kryeqytet kundër rritjes së çmimeve.

Protesta do të mbahet në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Sipas Leskaj, opozita duhet të jetë pa asnjë hezitim në shesh me shqiptarët në protesta kundër rritjes galopante të çmimeve, shtrenjtimit të jetesës, kërcënimit për varfërim të frikshëm të shqiptarëve.

Leskaj: Sot, në orën 17.00 edhe unë do t’i bashkohem protestës qytetare përpara kryeministrisë, selisë qendrore të sektit Rama. I falenderoj organizatorët, shoqërinë civile dhe studentët dhe ju ftoj të bashkohemi të gjithë në protestën kundër pabarazisë, varfërisë së skajshme, korrupsionit, skandaleve e arrogancës së këtij sekti qeverisës, që nuk ndalet përpara asgjëje dhe shet e plaçkit pasurinë e përbashkët, shet interesin kombëtar, duke vënë partinë mbi Shqipërinë, duke vënë pasurimin personal mbi Shqipërinë e shqiptarët.

Opozita duhet të jetë pa asnjë hezitim në shesh me shqiptarët në protesta kundër rritjes galopante të çmimeve, shtrenjtimit të jetesës, kërcënimit për varfërim të frikshëm të shqiptarëve.Çdo protestë kundër vjedhjes, plaçkitjes, varfërisë është e ligjshme!Është thirrje për të reaguar kundër sektit Rama që ka kapur për gryke Shqipërinë e po u merr frymën shqiptarëve.Shqiptarët nuk mund të pajtohen e as të gënjehen nga deklaratat e “liderit global”, delirantit Rama për një krizë globale dhe të kenë durim e besim tek ai që “do t’i shpëtojë!”Ndaj duhet të jemi të gjithë atje në shesh me të gjithë ata shqiptarë që kanë zë, kurajo e qytetari të protestojnë. Me prindërit, të rinjtë e të rejat, me intelektualët!

Kreu i PD, Lulzim Basha kur u pyet për protestën  deklaroi se opozita do të mbështesë organizojë dhe inkurajojë çdo formë reagimi popullor, pasi ky është një problem kombëtar.

Vala e protestave kundër rritjes së çmimeve nisi një ditë më parë nga Shkodra.Të moshuarit u ankuan për rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera të shportës, ndërsa të rinjtë për papunësinë e varfërinë.