"Të dalësh mbi dhunën" Dokumentari që ju tregon rrugën
"Të dalësh mbi dhunën" është dokumentari që shfaqet sot për herë të parë në kinema.
Dokumentari u vjen në ndihmë grave dhe vajzave shqiptare që kanë përjetuar apo janë duke përjetuar dhunë në familje.
"Një thirrje për të gjitha gratë, që të denoncojnë dhunën dhe mos kenë frikë të ngrenë zërin", thotë regjisorja e dokumentarit, Sula Bako, në emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora.
Suela Bako: "Dokumentari të shkojë sado pak pranë personave që e kanë nevojë. Mesazhi i dokumentarit për çdo grua është që ta bëj publik rastin, ta denoncojë. Sa më shumë denoncime aq më shumë zgjidhje do ketë"
Në dokumentar janë intervistuar 4 gra me katër raste të ndryshme dhune, të cilat rrëfejnë përjetimet e tyre.
Ideatorja dhe skenarsitja e dokumentarit, Valsona Sulçe thotë se në dokumentar publiku ka mundësinë të njihet më mirë me rastet e dhunës, pasi në media nuk është i mundur pasqyrimi universal i kauzave.
Valbona Sulçe: "Në Shqipëri vriten mesatarisht 9 deri në 10 gra në vit, ndërkohë që marrin urdhër mbrojtje mbi 330 gra. Këto gra ne nuk i shohim, sepse ato kalojnë në një lloj procesi që mbase nuk është aq fotozhenik nga ana e medias. Një kronikë 1 minutë e gjysmë nuk të tregon dot të gjithë procesin e dhunës së grave në familje."
Sulçe thotë se sipas investigimit që komponentët e dokumentarit kanë bërë ka rezultuar se gratë e denoncojnë dhunën kohë më vonë, pasi ato e kanë toleruar dhe duruar atë.
Valbona Sulçe: "Gratë shqiptare e denoncojnë dhunën, pasi kanë duruar shumë. Pse e bëjnë këtë? Cila është arsyeja? Ne jemi përpjekur të gjejmë përgjigje të tilla."
Dokumentari është realizuar nga AWA, Shoqata e Gruas Shqiptare në Audiovizual rreth Mekanizmit të Referimit kundër dhunës në familje./Ora News/
