Pa transport 35 nxënësit e Priskës, prindërit: Drejtoresha na tha zgjidheni vetë, s'kam fuqi ligjore
Që prej fillimit të mësimit për këtë vit shkollor fëmijët e fshatit Priskë e Vogël në Tiranë nuk kanë shkuar në shkollë, për shkak të mungesës së transportit. Prindërit e tyre kërkojnë nga institucionet arsimore zgjidhjen e situatës pasi fëmijët e tyre rrezikojnë të mos marrin dije.
Ashtu siç ishte paralajmëruar banorët e fshatit Priskë e Vogël u mblodhën këtë të mërkurë pranë ambineteve të shkollës "Mustafa Kemal Ataturk" për të kërkuar nga Drejtoresha një zgjidhje për transoprin e fëmijëve të tyre.
Një përfaqësi e banorëve u takuan me Drejtoreshën, por nuk morën një zgjidhje.
Banorët kërkojnë marrjen e masave pasi ditët po ecin dhe kjo situatë prek direkt fëmijët.
"Shkuam te drejtoresha, thotë se nuk kam gjë në dorë, zgjidheni vetë".
"Në bazë të informacioneve të drejtoreshës, shkolla është mbyllur nga Ministria dhe nuk ka kompetencë ajo të gjejë mjet transporti. Sot është koha e mirë por shkolla është 9 muaj, nuk është as 9 ditë dhe as 9 orë. Jemi pa zgjidhje".
Edhe pse kjo është java e dytë e shkollës, 35 fëmijë të fshatit Priskë e Vogël nuk kanë shkuar në shkollë.
Sipas banorëve, shkolla ekzistuese është mbyllur për shkak të numrit të ulët të nxënësve dhe rruga për në shkollën tjetër, është 6 km dhe e pakalueshme gjatë dimrit.
