Skandali me izolimin e italianit në konvikt, pas denoncimit të Ora News, ILD nis inspektim për prokurorin Emëror Kasaj

Pas denoncimit të Ora News të përplasjes së paprecedent mes gjykatës dhe prokurorisë së Gjirokastrës, ku shkak është bërë arrestimi i një shtetasi italian, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur inspektimet e rastit të izolimit të  Maicol Saiki, nga ana e prokuorit Emëror Kasaj.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka nisur procedurën verifikuese mbi veprimet e kryera nga prokurori, Emëror Kasaj, lidhur me qëndrimin e tij jashtë vendimit të gjykatës, për izolimin në ambientet e konviktit, të një shtetasi italian, Maicol Saiki.

Lajmi bëhet i ditur për Ora News nga burime pranë këtij inspektoriati që monitoron veprimtarinë e punës në gjykata dhe prokurori.

ILD, mësohet se tashmë ka kërkuar në Gjykatën dhe Prokurorinë Gjirokastër, që të njihet me aktet zyrtare të kësaj dosje, vendimmarrjen e gjyqtarit dhe prokurorit, si dhe urdhrat e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Mësohet se në fund të këtij verifikimi administrativ, do të jetë kryeinspektori, Artur Metani, ai që do të vendosë nëse do nisë një procedim disiplinor për këtë rast ose jo.

ILD u vu në lëvizje fill pas publikimit të lajmit në Ora News, ku evidentohej fakti i përplasjes ligjore mes gjykatësit Arben Dosti dhe prokurorit të Gjirokastrës, Emëror Kasaj.

Shkak i kësaj përplasje ishte vendqëndrimi i italianit Maicol Saçhi, i cili momentalisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga gjykata e Gjirokastrës.

Saçhi, u ndalua nga policia për akuzën e “trafikimit të mjeteve motorike”, por një nga gjyqtarët në Gjirokastër, urdhëroi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Por gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit, prokurori Kasaj pati një qëndrim dhe interpretim të kundërt nga çfarë kishte vendosur gjyqtari i çështjes, i cili përcaktonte se italiani duhet të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kushte shtëpiake dhe jo në kushtet e izolimit në konviktin e Universitetit të Gjirokastrës.

Ky konvikt u zgjodh nga prokurori Kasaj, duke izoluar italianin në këto ambjente që shihni në pamje.

Ndërsa vetë gjykata e Gjirokastrës nuk e kishte përcaktuar fare në vendimin e saj, strehimin e italianit në konvikt.

Nga ana tjetër prokurori Kasaj, ka vijuar me ekzekutimin e vendimit të gjykatës në mënyrë të gabuar, duke shpikur një vendstrehim si konvikti i Universitetit për të mbyllur shtetasin italian.