"Punëtorët shqiptarë nuk janë skllevër", 125 gra protestojnë për kushtet e punës
"Duam kushte pune, duam kushte pune!"
125 punonjësit e "Iliria Elektrik" prej 4 ditësh po protestojnë për ngritjen e pagës, njohjen e vjetërsisë në punë si dhe kushtet ku punojnë.
"Ne kemi dalë për rritje rroge ët cilën e kemi shumë të ulët, ne kemi dalë për rritjen e inflacionit i cili na është hequr, kemi dalë për vjetërsinë e punës. Ne kemi dalë për shumë gjëra, por të paktën 3 janë këto pikat kryesore që ne protestojmë sot dhe jemi të vendosur e nuk do ndalemi derisa të arrijmë në një fitore. Është e drejta jonë dhe janë krahët tonë që kemi lënë këtu."
"Presion është sepse është punë me normë, makineritë janë shumë të vjetra mos them të kohëve të vjetra fare. Në momentin që ti nuk bën normën, nuk merr lekët."
Edhe pse punonjës prej më shumë se 15 vitesh paga e tyre nuk ka ndryshuar.
"270 mijë lekë ( të vjetra) është baza mujore. Nëse ti nuk realizon normën edhe ato nuk i merr. Unë kam 18 vite që punoj dhe është e njëjta pagë si në 2003 dhe në këtë ditë. Është paga shumë e ulët."
"23 vite pune. Rroga jonë është rritur 100 lekë, 200 lekë, 500 lekë."
Në mbështetje të tyre ishte dhe Presidenti i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë Gëzim Kalaja.
"Këto gra janë të vendosura për të qëndruar këtu deri sa ai të vijë këtu të ulet në tavolinën e bisedimeve me Sindikatën, të nënshkruajë akt-marrëveshjen, të bëjë ngritjen e pagës dhe kërkesat e tjera që kanë punonjësit. Nëse nuk bëhet kjo do vazhdohet greva dhe fabrika do bllokohet."
Punonjësit thonë se kërkojnë dialog për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
"Jemi pa dialog,."
"Kërkojmë vetëm të negociohet, të firmoset ajo kontratë kolektive që na takon. Ne do të vazhdojmë grevën derisa të arrihet ajo që kërkojmë."
Ndërkohë gjatë ditës ato nuk kanë lejuar që të futet brenda magazinës asnjë material, madje një ngarkesë e kthyen pas.
Punëtorët i bëjnë apel institucioneve që të ndërhyjnë sa më parë në mënyrë që të vijojë dhe puna./OraNews/
