Kriza energjitike, Lazimi: Mund të shmangej nëse do të kishim planifikim, Rama s'tha si do ta përballojmë këtë stuhi

Kryeministri Edi Rama të dielën 3 Shtator 2021, në një deklaratë për mediat paralajmëroi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, teksa tha se kriza energjetike do të jetë në të gjithë botën.

Ndërkohë eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, u shpreh se kriza në tregjet globale, vjen për pasojë e faktorëve ekonomik, klimaterik dhe gjeopolitik, ndërsa shton se ka disbalancë mes kërkesës dhe ofertës.

Majlind Lazimi: Ajo çfarë po ndodh në tregjet globale të energjisë është fakti që kemi pasur disbalancë mes kërkesës dhe ofertës. Kemi tre faktorë, e para është klimaterik, e dyta ka të bëj me elementin ekonomik, dhe faktori gjeopolitik. Të gjitha këto bashkë japin një kontekst të brishtë ekonomik. Ne kemi  një model të ndryshëm të burimeve energjitike, pra jemi të varur 97% të prodhimit nga energjitë e rinovueshme hidrike. Paradoksalisht kemi pasur një  6 mujor të mirë të prodhimit të energjisë elektrike. Por kur kemi pasur tepricë energjitike kemi eksportuar, dhe tani jemi përballë faktit se s’kemi energji elektrike për të mbuluar konsumin e brendshëm.

Ai shprehet se kriza për rritjen e çmimit të energjisë mund të shmangej nëse do të kishte planifikim në lidhje me prurjet.

Majlind Lazimi: Kjo krizë mund të shmangej nëse do të kishim planifikim më të qartë, më të saktë përsa i përket prurjeve. Do të kishte pasur një menaxhim të mirë në kohë.

Lazimi thekson se s’jemi të gatshëm të shtojmë kapacitete dhe investime në sektorin e energjisë.

Majlind Lazimi: Ajo që nuk ka ndodhur është se ne nuk kemi arritur të vendosim kapacitete shtesë në përdorim, të investojmë më shumë. Prej 10 vitesh ne kishim mundësinë që të rezervonim një sasi gazi, që mund ta përdornim për industrinë.

Lazimi komentoi dhe deklaratën e Ramës, duke thënë se ky i fundit paralajmëroi për krizëë por nuk tregoi se si do e përballojmë dhe se a është e gatshme që qeveria të përballojë furnizimin me energji elektrike për qytetarët.

Majlind Lazimi: Ajo se çfarë u vu në diskutim nga fjalimi i Kryeministrit është dhe fakti se po vjen një stuhi e madhe dhe  ajo që njerëzit nuk panë ose dëgjuan ishte se  si do ta përballojmë këtë stuhi, cilët janë skencarët e zgjidhjes, a kemi ne garanci se çfarëdo që të ndodh, qytetarët shqiptar të kenë mundësi të kenë energji elektrike. A ishte e gatshme  qeveria të përballonte pikëspari furnizimin me energji. Por ajo që unë shoh është se nëse do kemi reshje nuk është më një emergjencë aq dramatike siç  dukej para dy ditësh por do të jetë e stabilizuar.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.