SPAK verifikon “Pandora Papers”, në "sitë" burimi i fondeve që lëvizën në parajasat fiskale

Prokuroria e Posaçme SPAK po verifikon të dhënat e publikuara nga "Pandora Papers", databaza e gazetarëve investigativë në lidhje me transferimin e fondeve në parajsat fiskale. Hetuesit po dokumentojnë të dhënat për Shqipërinë për të identifikuar kompanitë dhe politikanët nga vendi ynë me qëllim për të verifikuar burimin e fondeve që ata kanë qarkulluar.

Prokuroria e Posaçme është vënë në lëvizje pas publikimit të dokumenteve të skandalit “Pandora Papers”, ku sipas një investigimi janë të përfshirë politikanë, biznesmenë dhe kompani nga e gjithë bota.

Dyshohet se në këtë skandal është përfshirë një politikan shqiptar dhe 13 kompani nga vendi ynë.

Burimet bënë të ditur se prokurorët e SPAK janë vënë në lëvizje në Tiranë për të verifikuar llogaritë në parajsat fiskale të zbuluara nga dokumentet e “Pandora Papers”.

Prokuroria po verifikon të dhënat që kanë dalë dhe më pas do të vendoset për të nisur hetimet nëse vlerësohet e ka vepër penale.

Grupi i hetimit po përpiqet të kuptojë nëse paratë e transferuara në parajsat fiskale janë apo jo të ligjshme dhe kush ka qenë burimi i tyre.

Rrjeti i gazetarëve investigativë të ballkanit, BIRN, ka publikuar dhe biznesmenin e parë shqiptar të përfshirë në këto “offshore”. Sipas këtyre dokumenteve të rrjedhura në publik, rezultoi se Vasil Kallupi ka përfituar 3.6 milion euro nga kontraktori i OST “Energoinvest”, të derdhura në kompaninë e tij e konsulencës “AL Energy Transmission”.

Në vazhdim pritet të zbulohet, se cili është politikani shqiptar që ka depozituar paratë në parajsat fiskale dhe nesë të ardhurat e tij kanë ardhur nga korrupsioni.