Shkelën rregullat e qarkullimit, arrestohen 7 shoferë dhe vendosen 1046 gjoba
Policia rrugore gjatë 24 orëve të fundit, ka konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh, që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar nga deri në 161 km/h në rrugët interurbane.
Kështu, rrugorët kanë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët, 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Po ashtu, janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
“Po si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët në Komisariatin Dixhital dhe në nr. 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1046 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, kryesisht për parakalime të gabuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, për mos vendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, për shpejtësi tej normave të lejuara, por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit.” – bën me dije policia.

