Tragjedi në katin e 8 të pallatit në Tiranë, dibrani vret të dashurën ganeze dhe vetëvritet

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të shtune (2 tetor), ku dy të rinj kanë humbur jetën pas një konflikti në çift.

Ora ka qenë rreth 18:00, ku 26-vjeçari i identifikuar si Klinton Pira ka goditur me thikë të dashurën e tij.

31-vjeçarja i ka shpëtuar nga duart të riut dhe ka dalë për të kërkuar ndihmën e fqinjëve dhe kalimtarëve.

Dyshohet se në gjendje të rëndë psikologjike pas këtij momenti, 26-vjeçari është vetëhedhur nga kati i tetë i pallatit ku jetonin me qira duke i dhënë fund jetës së tij.

 

"Rreth orës 18:00, në bulevardin “Gjergj Fishta” në një banesë me qira ditore, gjatë një konfliktit të çastit, shtetasi me iniciale K. P., 26 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë një shtetase të huaj me iniciale J. J, 31 vjeçe, dhe më pas është hedhur nga lartësia dhe për pasojë ka ndërruar jetë. 31-vjeçarja u dërgua menjeherë në spital, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital" - njofton policia. 

31-vjeçarja ganeze, e cila ishte dhe me pasaportë franceze, është nisur menjëherë drejt spitalit për të marrë mjekimin e nevojshëm por fatkeqësisht as ajo nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra.

Menjëherë pasi ka mbërritur në vendngjarje policia ka rrethuar skenën e krimit.

 Ende nuk dihen shkaqet që e shtynë Klinton Pirën drejt këtij akti ekstrem por grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes duke marrë dëshmitë e fqinjëve dhe familjarëve.

Mësohet se çifti është njohur në Angli ku 26-vjeçari ka jetuar disa kohë, ndërsa vajza kishte mbërritur në Tiranë këtë të shtunë.