Operacioni i SPAK në Dibër, zbardhen përgjimet: Si u dhanë 100 mijë lekë për punësimin si mësues

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në burg të arrestuarit për korrupsion në Dibër.

Seanca e cila nisi në orët e para të ditës është shtyrë pasi avokatët kërkuan ndryshimin e gjyqtares.

Ndërkohë janë zbardhur dhe përgjimet e prokurorisë që vunë në pranga dy zyrtarët.

Sipas dosjes, Halit Shehu është arrestuar pasi i dha një shumë parash Fitim Farrukut që ky të ushtronte ndikim në Zyrën Vendore Arsimore Dibër për punësimin e Halitit si mësues.

Gjithçka ka nisur në 27 shtator 2021. Halit Shehu ka biseduar në telefon me Fitim Farrukun, me detyrë punonjës në Këshillin e Qarkut Dibër.

Gjatë bisedës rezulton se Haliti bën përpjekje të punësohet si mësues por e ka të vështirë. Për këtë kërkon ndihmën e Fitimit, i cili i ka thënë që të marrë diplomën dhe një CV dhe të takohen të nesërmen.

Pas përgjimeve ata janë vënë në vëzhgim nga policia gjyqësore. Nga përgjimet e bisedave telefonike dhe vëzhgimit ambjental është parë që Haliti dhe Fitimi janë takuar në një lokal në Dibër dhe Haliti i ka dhënë një zarf në të cilin dyshohet se janë paratë.

Pas disa minutash ata janë ndarë me njëri-tjetrin dhe Fitimi është larguar bashkë me zarfin dhe më  pas ka telefonuar një person tjetër, me të cilin e ka lënë të takohet.

Oficerët e kanë mbajtur në vëzhgim takimin e tyre dhe më pas i kanë kapur.

Nga kontrolli personal ka rezultuar se në zarfin e bardhë të Fitimit janë gjetur 100 mijë lekë, ndërkohë nga verifikimi i bërë personi që po takohet me Fitimin ka rezultuar se është Lulzim Dani, bashkëshorti i Brikena Danit, e cila është me detyrë përgjegjëse e Zyrës Arsimore Dibër.

Nga kontrolli i tij ka rezultuar se në telefon ai e kishte të regjistruar numrin e telefonit të Fitim Farukut dhe kishte biseduar me të .