Brdariç i tërheq vëmendjen Adilit. Për Memellin, Skënderbeu humbi 2 pikë
Skënderbeu-Vllaznia u mbyll në një barazim mes tensionit dhe polemikave ku sigurisht ndikoi dalja me të kuq e Adilit te shkodranët. Pikërisht për sjelljen e Adilit, trajneri Thomas Brdariç pati disa kritika teksa tha se loja e skuadrës ishte e mirë edhe me një lojtar më pak.
“Në përgjithësi duhet të jemi të kujdesshëm në gjerat që bëjmë, Adili është pak impulsiv dhe duhet të ketë kontroll më të madh të vetes së vet. Të vjen keq sepse nuk luajtëm me 1 lojtarë për 90minuta, dhe nuk morëm dot fitoren por duhet të jemi të kënaqur me frymën që dha skuadra pasi jemi në rrugën e duhur. Mendoj se duhet ta shikojmë ndeshjet në total, në përgjithësi jam i kënaqur me sjelljen e skuadrës, nuk patëm fat në disa raste. Përpara ndeshjes synimi ishte të hynim për fitore, Mendoj se vendimi i arbitrit sot ishte pak i tepruar. Jam i kënaqur me lojën e ekipit dhe paraqitjen”, tha trajneri i ekipit Shkodran.
Ndërkohë në anën tjetër, trajneri Memelli mendon se Skënderbeu mund të merrte fitoren duke shtuar se ekipi humbi 2 pikë me Vllazninë.
“Vllaznia bëri një ngjeshje më të mirë në pjesën e dytë. Raportet prishen pak në momentin kur kërkon të konkretizosh vertikalizimet. Në pjesën e parë patëm rastet tona më të mirë. Jam i mërzitur për lënien e 2 pikëve, jo për lojën, e cila ka qenë jashtëzakonisht e mirë sidomos në pjesën e parë. Incidenti me Adilin? Mora një ofendim nga lojtari i Vllaznisë. Janë nerva loje, ai është profesionist edhe unë. U futëm në tunel, gjyqtari na ndëshkoi me karton të të verdhë, për Adilin ishte i dyti. E thirra pas ndeshjes, është i mërzitur, gjithsesi jeta vazhdon dhe i uroj gjithë të mirat. Me Brdariçin fola ata që ndodhi dhe sqarova këtë”, deklaroi trajneri i ekipit korçar./Ora News/.
