Shqipëria për herë të parë do të jetë anëtarë e KS në OKB, Rama: Harroni luftën, shihni përpara
Në fjalën në asamblenë e OKB ku u diskutuan sfidat globale, kryeministri Edi Rama e vuri theksin në angazhimin për paqe në botë, ruajtjen e klimës por dhe zhvillimin ekonomik.
Qeveria, tha ai, prej vitit 2014 ka nisur reformimin e sektorit të energjisë e pret që të kthehet në një shtet eksportues.
Rama: Qeveria do miratojë planin e ri në përputhje me axhendën e komunitetit të energjisë. Shqipëria pret që brenda kësaj dekade të bëhet një eksportuese neto e prodhimit të energjisë.
Rama kërkoi që shtetet të mos e kthejnë kokën nga konfliktet e mëparshme por të shohin nga e ardhmja.
E këtu shembulli sipas tij qëndron dhe në Ballkan.
Rama: Për të mos lënë të shkuarën të diktojë më të ardhmen. Bërja e paqes është një burim i mirëfilltë frymëzimi për botën si dhe për ne në rajonin e Ballkanit.
Kritik edhe një herë Rama u shfaq edhe me shtetet që nuk dhanë kontributin e duhur për strehimin e afganëve.
Rama: Qeveria shqiptare mori përsipër për të pritur deri në 4000 afganë. Më kanë pyetur Pse? Duke bërë një gjë të tillë ne nderojmë historinë dhe traditën tonë. Ne e bëmë sepse u detyrohemi fëmijëve tanë, ata nuk duhen rritur në një mjedis ku u thuhet të mbyllin dyert, ata duhet të mësojnë përmes veprave dhe jo fjalëve.
Por edhe në mbyllje të fjalës, ftesa e Ramës ishte për një kontibut më të madh në shërbim të globit.
Rama: Ka një kohë kur kërkon dhe ka një kohë kur duhet të japësh.
