"Ndoshta para 25-30 vitesh nuk ishin përfshirë në korrupsion", Ryerson tregon se SHBA ndryshoi qëndrim për Berishën
Ambasadori i parë amerikan në Tiranë, pas rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, William Ryerson, shpjegon se pse pas 30 viteve ka ndryshuar qëndrimi amerikan ndaj ish-liderit të opozitës së atëhershme, Sali Berisha.
Ambasadori Ryerson: Ato që kanë ndodhur në Shqipëri janë inkurajuese, por edhe shumë zhgënjyese. Dikush më pyeti kohët e fundit se përse e bëri Sekretari Blinken këtë, përse jo një njoftim nga një prej zëdhënësve. Për mua ky është një sinjal kundër korrupsionit, jo vetëm për Shqipërinë, por se Uashingtoni do ta godasë korrupsionin sa herë ta shohë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Ajo që ka rëndësi është çfarë bën tani ky, apo ai person, ky, apo ai entitet. Ndoshta para 25-30 vitesh nuk ishin përfshirë në korrupsion, por janë përfshirë më pas dhe prandaj tani po merr vëmendje kaq të lartë.
Ndërkaq nga Shkodra ku vijoi turin e tij anti-Basha, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se kishte ndërmend të largohej, por pas kësaj që ndodhi vendosi për rikthimin.
Berisha: Projekt për tu kthyer nuk kisha, i kisha mbyllur problemet e mia dhe po të hyja pa projekt vetëm sa shkaktoja kaos. Nuk e kam bërë për asnjë arsye tjetër përveç asaj që meqë unë nuk doja të rikthehesha i kam qëndruar kundër Edi Ramës, për interesin kombëtar, kundër krimit dhe korrupsionit dhe nuk kam ndërhyrë në problemet e brendshme të PD. Kjo sigurisht që nuk ishte e drejtë.
Sipas Berishës, votimet e 25 prillit ishin masakër zgjedhore, por ai shton se Basha nuk i denoncoi në asnjë institucion ndërkombëtar.
Berisha: Tani del dhe thotë po krijoj Komision Hetimor, çfarë Komisioni Hetimor, për të gënjyer njerëzit? Çfarë të duhet Komisioni Hetimor? Ti duhet të shkoje në ODIHR, në Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, OSBE, në të gjitha institucionet, kancelaritë e Europës dhe tu tregoje si i mori zgjedhjet. Tani pasi ke filluar negociatat me të, vetëm po i bën furça atij, ky problem është fund e krye tradhëti ndaj jush.
Në Shkodër, Berisha u prit nga mbështetës të shumtë, ndërsa kërkoi firmat për të mbledhur Kuvendin e jashtëzakonshëm.

