Tërhiqet qeveria. Nga e hëna, nxënësit mësim me orë të plota dhe pa turne
Pas disa ditë protestash nga prindërit qeveria ka vendosur të heqë dorë nga mësimi me turne dhe orare të shkurtuara në shkollat publike.
Në një deklaratë të posaçme për mediat, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, theksoi se nga e hëna gjithçka do të kthehet në normalitet.
“U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88 % të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”, tha ajo.
Megjithatë ajo kërkoi ruajtjen e masave anti-covid për të mos rikthyer kufizimet.
“Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës – në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne. Faleminderit të gjithëve dhe suksese!”
Të mërkurën disa prindër nisën të mbledhin firma për t'iu drejtuar me pedicion ministrisë për kthimin e mësimit me orar të plotë.
Po ashtu të premten në Tiranë mbledhja e firmave u përshkallëzua, duke lënë afat ditën e hënë për të ndryshuar strategjinë e arsimit.
