Ashensorët në banesat sociale Durrës jashtë funksionit, banorët: Po vdesim nëpër shkallë

Dhjetëra familje që kanë përfituar banesa sociale në Durrës, detyrohen që të ngjiten deri në 8 kate në këmbë, pasi ashensorët nuk punojnë.

Banesat janë nën administrimin e Bashkisë së Durrësit, ndërsa situata bëhet alarmante kur në pikëpyetje janë të sëmurët.

"Po vdesim në shkallë se unë nuk ngjitem dot në kat të 8-të, më ka nxjerrë doktori me ankth, më mbahet fryma."

"Mu paralizua plaku, e zuri dhe korona dhe e çuam në spital. Nga spitali e sollëm me barelë në shtëpi. Ai ka 1 vit tani, unë dua ta nxjerr të marrë ajër edhe ai."

Të moshuarit janë të shqetësuar për situatën, pasi për ta është e pamundur që të zbresin për nevojat e përditshme.

"Në shkurt deri tani i thonë 6 muaj. Nuk shoh dot punën time, nuk hip dot se më ka kapur këmba. Çfarë bëhet këtu? Çfarë qeveri është kjo? Njerëzit paguajnë qira, detyrimet janë detyrime. E kam nënën shumë të sëmurë, po më vdes, nuk e shoh dot."

Thonë se janë ankuar në Bashki por nuk kanë marrë kurrë një reagim.

"E bëra kërkesën, asgjë. Tallen me neve ose nuk e di."

"Kemi shkuar te bashkia, asgjë nuk është bërë. Ne i paguajmë lekët."

"I kam kërkuar ndihmë bashkisë, kam marrë në telefon policinë, zjarrfikësen."

I gjithë kompleksi i pallateve në lagjen 17 në të cilat ndodhen banesat sociale menaxhohet nga bashkia, ndërsa edhe mirëmbajtja i takon kësaj të fundit./OraNews/