“Çështja Bechetti”, PD depoziton kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor: Dëmin nuk duhet ta paguajnë shqiptarët

PD ka dorëzuar në kryesinë e Kuvendit kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor në lidhje me çështjen Beccheti.

Nënkryetarja e PD-së Grida Duma tha se kjo çështje i ka shkaktuar vendit një dëm prej 120 milionë eurosh.

Duma: "Sot protokolluam kërkesën zyrtare të PD dhe të grupit parlamentar të PD, sa i përket komisionit hetimor të kuvendit mbi çështjen Beccheti.

Opinioni publik është i mirënjohur me  çështjen Beccheti dhe dëmet që i ka shkaktuar me dëmin prej mbi 120 milionë euro që  shqiptarët dhe Shqipëria duhet t'i paguajë një kompanie private."

Fokusi i Komisionit Hetimor

Duma u shpreh se Komisioni ka në fokus kontrollin e ligjshmërisë të veprimeve dhe mosveprimeve të funksionarëve politikë. Sipas Dumës kjo çështje ka filluar si një hakmarrje politike ndaj një medie e cila bënte opozitë kundër Ramës në vitin 2015.

Duma: "Komisioni ka në fokus kontrollin e ligjshmërisë të veprimeve dhe mosveprimeve të funksionarëve publikë dhe institucioneve vendore. Shqipëria duhet të paguajë një borxh prej 120 milionë eurosh për një sagë që nisi në vitin 2015 si një sagë për hakmarrje politike. Nisi ndaj një medie që bënte opozitë ndaj Ramës, bënte opozitë ndaj korrupsionit  dhe publikoi dasmën luksoze të Veliajt. Ky Komision Hetimor, dhe deputetët që janë pjesë, duam që të shtrojmë sa më tepër qartësi mbi ata që janë shkaktarët dhe dëmit në fund duhet mos ta paguajnë shqiptarët që nuk kanë asnjë faj por ata që e nisën me koshiencë por edhe me paaftësi."

Po sot PD dorëzoi edhe kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për inceneratorët./OraNews/