"Një ushtar vrau ushtarin tjetër", Poli Hoxha: Ku bashkohen dhe ku ndahen nënkomisari me vrasësin
Ngjarja e rëndë në Ishull-Lezhë një ditë më parë ku një oficer ra në krye të detyrës ka ende shumë të panjohura.
Gazetari Poli Hoxha në një intervistë për Ora News me Matilda Mcinin thotë se ende nuk ka një deklaratë zyrtare se pse tre efektivët kishin shkuar pa një trupë mbështetëse në asgjesimin e parcelës me kanabis.
"Nuk kemi analizë. I kujt ishte kanabisi atje, cila organizatë vepron në atë zonë dhe kush është kreu i saj. Nuk kam dëgjuar SHÇBA, si mund të shkojnë tre policë ku e dimë si funksionojnë, funksionojnë me kamera. Si shkojnë pa një grup mbështetës për një parcelë me 100 bimë kanabis, zonë e egër që gëlon nga të kërkuar dhe kontigjentë të spikatur të krimit. Kush i nisi këta të tre pa një furgon?"
Sipas Hoxhës, ngjarja e djeshme është pasojë e një keqdrejtimi ndër vite i policisë së shtetit, kupola drejtuese e të cilës sipas tij i ka shitur shpirtin krimit.
"Këtu bëhet fjalë për një polici që është kritikuar aq shumë këto 5-6 vitet e fundit për mënyrën jo vetëm si është drejtuar por si funksionon. Një polici e hapur politike dhe një polici e cila në faza të caktuara ka dalë hapur në bashkëpunim dhe mbrojtje të krimit.
Një polici, që krerët e saj kanë shitur shpirtin dhe detyrën te krimi. Kupola e policisë se policia si trupë është e keqtrajtuar, gjithmonë në rrezik dhe me një pagesë dhe kushtet të tmerrshme. Po të shikojë sot të gjithë ata që qanin ose bënin sikur vajtonin atje janë të gjithë shkaktarë të kësaj që ndodhi.
Ky që vrau një nënkomisar policie para 5-6 vitesh ka qenë një minoren, përkon me një periudhë ku Shqipëria lulëzoi nga kanabisi.Ka shumë vrasje, ngjarje, histori që e kanë burimin në atë periudhë. Nuk patëm asnjë ndëshkim, analizë, asnjë penalitet qoftë dhe administrativ. Nuk kemi dëgjuar që një drejtor policie, qarku që asaj periudhe që u mbush me kanabis, arriti kanabisi deri në studio, të largohej nga radhët e policisë ose të ulej në detyrë.
Drejtorin e Përgjithshëm të asaj kohe e çuan te Emergjencat. Kemi një kupolë si te krimi i organizuar. Ky djaloshi që vrau policin ishte një ushtar që vrau një ushtar tjetër. Ky djaloshi është ushtar i atyre njerëzve që janë të fuqishëm, kanë sfiduar dhe sistemin e drejtësisë, janë jashtë dhe këta janë kamikazë se kanë idhuj andej.
Nga ana tjetër kemi përballë një oficer policie që ka vuajtur aq shumë për të marrë gradat, e kanë torturuar, i kanë bërë presion psikologjik në kohën e vettingut të largohej fare, transferoje këtej dhe atje, mos i jep gradat. Ndërkohë që kemi shefin e tij të madh që ka shkelur çdo ligj në procesin e marrjes së gradave, e dimë të gjithë historinë e Ardi Veliut".
