Berisha për Open Balkan: Tanket serbe në kufi me Kosovën i mbyllin dyert e BE-së Serbisë dhe rajonit

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e tij kundër nismës për Ballkanin e Hapur.

Berisha deklaroi në Durrës  se nisma kthen edhe njëherë konceptin për hegjemoninë serbe në rajon.

Duke komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, ai tha se tanket serbe në kufi i mbyllin dyert e BE-së jo vetëm Beogradit por gjithë rajonit.

"Europa ka vendosur nismën e Berlinit që ruan vokacionin tonë perëndimor, i jep fund konceptit të hegjemonisë serbe në rajon, i vendos vendet e rajonit si shtete të barabarta. Ky me një fanatizëm skllavi të verbër kalon nga Novi Sadi te Ballkani i Hapur që është vetëm hegjemoni serbe në rajon.

Dje Reuters ka shkruar se po diskutohet me u heq perspektivën e anëtarësimit vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pse? Kur një vend i qeverisur nga një kriminel lufte, një njeri që me zë e figurë është duke deklaruar se për një serb do vriten 100 myslimanë si Aleksandër Vuçiç, nuk njeh genocidin në Sebrenic dhe thotë Reçakun e kanë bërë perëndimorët.

Ai dërgon tanket në kufij të Kosovës, këto tanke ja mbyllin dyert jo vetëm atij por edhe rajonit. Europianët nuk duan kurrësesi të importojnë konflikte brenda hapësirës së tyre dhe kanë të drejtë".