Operacioni tragjik në Ishull-Lezhë, eksperti: Policët ishin kaotik, dy ikën me vrap, tjetri ra në kanal

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku nënkomisar Saimir Hoxha u vra në krye të detyrës në një operacion në Ishull-Lezhë, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuça në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini flet për shkelje të procedurave në operacionin e policisë.

Duke komentuar pamjet e videos së momentit të vrasjes së oficerit të policisë ai analizon hap pas hapi të gjitha shkeljet nga ndalimi i automjetit me të dyshuarit e deri te akti tragjik.

Karamuça: Sipas pamjeve që transmetoni shikoj një frenim shumë të fortë të makinës së dytë që vjen me shpejtësi. Policët dalin menjëherë, deri diku janë të inatosur, të nevrikosur, nuk janë gjakftohtë. Si ka mundësi që ne të ndiqemi, policia ka një autoritet që ndjek, jo që ndiqet. Kjo i ka bërë të dalin nga makina vrullshëm. Por nuk mund të analizojmë më tej veprimet e të ndjerit, ai  tani është Dëshmor i Atdheut dhe nuk dua të mbetem në ndergjegjen e dy fëmijëve të tij se babai bëri një veprim  të gabuar, jo. Ai ka qenë në zbatim të një urdhri të eprorit të vet që ka qenë brenda në makinë, në grup.

Dhe ky epror është i tillë sepse duhet të ruajë gjakftohtësinë e vartëse të vet dhe duhet të kishte respektuar të gjitha procedurat standarde të ndalimit të një automjeti me persona të dyshuar. Vetëm procedura standarde nuk ishin ato. Kanë qenë në një veprim kaotik, pa asnjë lloj vigjilence që mund të kishin dhe një kundërpërgjigje me armë. Dy prej policëve kanë tentuar të ikin me vrap dhe të mbrohen, një i tretë ka rënë në kanal, fillimisht është plagosur dhe më pas ka humbur jetën. Edhe planvendosja e makinave ka qenë e gabuar, nuk kanë pasur asnjë pikë ku të mbroheshin. Edhe mënyra sesi janë vendosur ata për të kontrolluar mjetin dhe personat brenda ka qenë e gabuar sepse nuk kanë pasur një pikë mbështetje ku të kishin mundësi të kontrollonin dhe të shikonin njëkoëhësisht veprime të dyshimta që mund të kryheshin brenda makinës.

Ai shton se rasti në fjalë nuk është sporadik pasi sjellje të tilla sheh edhe në rrugët e Tiranës te patrulla të ndryshme.

Karamuça: Kam parë dhe në rrugët e Tiranës shumë patrulla Shigjeta dhe Shqiponja që në planvendosjen e tyre, mënyrën si pozicionohen, kontrollojnë dokumentat apo personat në akset rrugore urbane lë shumë për të dëshiruar, nuk janë fare vigjilentë. Nëse këta janë në orë të vona, nuk kam parë një polic me antiplumb.E kuptojnë që ka rrezikshmëri të lartë shoqërore nata, personat në kërkim, duke ditur që dhe krimi ka eskaluar në rrezikshmërinë e vet për faktin se ka aktivitet të shtuar në fushën e narkotikëve, duke qenë dhe nën efekt të lëndëve narkotike këta nuk e kanë për gjë të shtijnë me armë kundër policisë.

Sipas ekspertit, jemi në pikën që ose do të bëjmë një kthesë të madhe institucionale dhe shoqërore, ose do të dorëzohemi.

Karamuça: Ka marrë një diskutim, debat dhe kohë shumë të madhe kjo ngjarje sepse kemi parë pamje të trishta si është kanosur, si i bëhet karshillëk oficerit të policisë së shtetit dhe si ai para kamerave humb jetën. Humb jetën nga disa persona që për shumë rrethana që kanë të bëjnë e një sistem disi të dështuar po na prodhojnë vrasës çdo ditë. Kemi arritur në një pikë ku ose do të bëjmë një kthesë të madhe institucionale dhe shoqërore, ose do të dorëzohemi. Këta që deri dje ishin shumë sporadikë, bënin vepra të vogla penale tani kanë ngritur dorën kundër shtetit dhe kjo është alarmante. Ky është një profil i ulët kriminal, krim rruge. Kemi të bëjmë me adoleshentë të vonuar nën efektin e lëndëve narkotike.