Vrasja e oficerit/ Ishin në makinë me Aldi Ramën, arrestohen 2 të rinjtë
Saimir Hoxha, 44 vjeç me detyrë nënkomisar mbeti i vrarë mëngjesin e djeshëm pasi u qëllua me plumb në zemër nga 21-vjeçari Aldi Rama.
Nënkomisari ishte nisur në një aksion antikanabis së bashku me 4 efektivë të tjerë, ndërsa Aldi Rama ishte në makinë së bashku me 2 persona Kristian Sherri dhe Armando Marku.
Policia informon se ka bërë arrestimin e dy të rinjve që ndodheshin me Ramën në makinë në momentin e ngjarjes.
Gazetarja e Ora News, Keti Banushi bën me dije se dy personat e arrestuar do të dalin para Gjykatës me akuzën e moskallëzimit të krimit në lidhje me armën që kishte me vete 21-vjeçari Rams.
Deri tani 2 të rinjtë kanë pranuar që kanë shkuar në vendin ku u gjetën nga policia për të konsumuar lëndë narkotike.
Policia e Lezhës ka pasur sinjalizim për një parcelë me hashash dhe sekuestroi 110 rrënjë.
Nga hetimet e deritanishme nuk është vërtetuar se të rinjtë kishin lidhje me ngjarjen.
"Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë S. H., në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Aleksander Marku 26 vjeç dhe Kristian Sherri, 27 vjeç, banues në Lezhë," informuan blutë e Lezhës.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:35 ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama.
Ekspertët mjeko-ligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe gjithë veprimet e tjera ligjore.
Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes./OraNews/

