Komisionet hetimore/ Çupi: Do të bëjnë transparente aferat e qeverisë për Becchettin, inceneratorët dhe zgjedhjet
Në një intervistë për Ora News, deputetja demokrate Dhurata Çupi u shpreh se ndërkombëtarëve u duhet treguar se zgjedhje të tilla pa standarde dhe me shitje-blerje votash, të con në finalen se qeveris një qeveri pa vullnetin e shqiptarëve.
Ajo tha se edhe në rastin Becchetti ku do të paguhen nga shteti shqiptar 130 milionë euro, vjen për shkak të aferave dhe papërgjegjshmërisë së shtetit.
Çupi: Ndërkombëtarëve u duhet treguar se zgjedhje të tilla pa standarde dhe me shitje-blerje votash, të çon në finalen se qeveris një qeveri pa vullnetin e shqiptarëve. Pra, ne do tu tregojmë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur në 25 prill. Po ashtu, shqiptarët e dinë se në rastin Bechetti jemi para një fakti të kryer dhe pritet që buxheti i shtetit të alokojë 130 milionë euro ndaj tij. Ne do të hetojmë gjithë provat që kemi lidhur me këtë hetim.
Është përfolur se shumë individë të ndryshëm janë përfshirë në këtë operacion dhe shqiptarët duhet ta dinë se këto para janë për shkak të aferave dhe papërgjegjshmërisë së Bechettit. Vullneti i qeverisë e mbylli këtë televizion dhe tashmë është kthyer në titull ekzekutiv një vendim i tillë për të paguar ato para.
Çupi shtoi se Komisioni hetimor do të merret qysh nga nisja e çështja Becchettit deri në vendim final, duke bërë presionin e duhur ndaj të gjithë organizmave shtetëror që çuan në këtë vendim.
Çupi: Komisioni hetimor do të merret qysh nga nisja e çështja Becchettit deri në vendim final. Do të hetohet se çfarë të bërë me dashje apo pa dashje. Kjo është një qasje e qeverisë për të vënë gjoba ndaj televizioneve opozitarë. Ky komision do të bëjë presionin e duhur ndaj të gjithë organizmave shtetëror që çuan në këtë vendim. Ne do të jemi aty dhe do të bëjnë transparente aferat e kësaj qeverie, pra masakrën zgjedhore, Becchettin dhe inceneratorët.

