Ankesa nga kompanitë, KPP merr në shqyrtim tenderat e QSUT për pajisjet spitalore

Komisioni i Prokurimit Publik ju ka dhënë të drejtë 2 subjekteve të cilat ankimuan tenderat e QSUT për pajisjet spitalore.

Gjatë shqyrtimit të ankesës së bërë nga subjekti "Montal shpk" rezultoi se kriteret për shpejtësinë e shtretërve me motor janë të tepërta dhe nuk ndikojnë në funksionimin e pajisjes.

Po ashtu dhe tenderi për pajisjet e kabinetit të endoskopisë që u ankimua nga kompania "Fedos" do të rishikohet.

Komisioni arriti në konkluzionin se kushti për pajisjen e ndriçimit me burim të integruar ose të pavarur të dritës është i panevojshëm.

Ndaj edhe në këtë pikë autoritetit i është kërkuar të rishikojë kriteret për të bërë të mundur hapjen e konkurrencës.

Në total janë 5 kompani të cilët ankimuan 10 tenderat e QSUT me vlerë mbi 1 milionë euro, ku pika kryesore e ankimimit ishte se kriteret specifike favorizonin subjekte të caktuara.

Deri më tani nga të gjitha ankesat KPP ka marrë 3 vendime përfundimtare ku ka pranuar dy prej tyre dhe një e ka refuzuar me argumentin e mosrespektimit të afateve ligjore.

Ndërkohë për 5 çështje KPP ka marrë vendim për të vazhduar shqyrtimin e çështjes në themel./OraNews/