Padi në GJK për ligjin e prokurimeve të tërmetit, Braha: Korruptiv, krijon pabarazi dhe klientelizëm
Organizata AIS e njohur si Open Data Albania ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për pezullimin dhe shfuqizimin e pjesshëm të Aktit Normativ nr. 9 me fuqinë e Ligjit, në pjesën për “Prokurimet për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019”.
Drejtorja e organizatës, Aranita Braha thotë se kreu VI i këtij akti, në nenet 40 dhe 44 cenon lirinë për veprimtari ekonomike.
"Është një bazë ligjore që bie ndesh me të drejtat kushtetuese dhe sidomos me të drejtën për liri ekonomike. Në këtë aspekt duke kufizuar mjaft elementë që kanë të bëjnë me të drejtën e garës, me të drejtën e zhvillimit të lirë të ekonomisë ka tendenca për të krijuar favorizim të operatorëve të mëdhenj, klientelizëm, pabarazi," tha Braha.
Braha e cilëson Aktin Normativ një ligj korruptiv, klientelist, i cili favorizon bizneset e mëdha në sektorin e ndërtimit dhe është në dëm të taksapaguesve shqiptarë./OraNews/
