Shfaqjet "teatrale" me tanke dhe helikopterë në kufi, a e ka Beogradi vetëm për demagogji "Open Balkan?
Ndërsa nisma "Ballkani i Hapur" ishte kthyer në temë kryesore diskutimi në rajon, situata e krijuar në veri të Kosovës, me atë që kryeministri Rama e cilësoi teatër të Serbisë me tanke e helikopterë e ndryshoi kursin dhe shtoi dyshimet se Beogradi e ka vetëm për demagogji idenë e "Open Balkan."
Po kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në emisionin "Drejt" në Rtv Ora e sheh si një arsye më shumë për ta konkretizuar sa më parë këtë instrument përshpejtues të procesit të Berlinit.
Nikolla: Mund të jetë dhe ashtu.Në këndvështrimin tonë janë arsye dhe më shumë për të punuar që katër liritë e lëvizjes të jenë pjesë e vendeve tona, asaj që njihet si "Open Ballkan". "Open Balkan" është një instrument përshpejtues i procesit të Berlinit, këtë dua të besoj. Patjetër duhet gjetur gjuha e përbashkët që këto vende të bashkërendojnë punët në mënyrë që katër liritë e lëvizjes të jenë një realitet i vendosur. Ajo që ndodh sot tregon edhe më fort arsyet që duhet punuar në këtë drejtim pa pritur mbledhjet e shumë vendeve. Kështu e shikoj dhe kështu duhet ta shijojnë edhe vendet që janë të përfshira apo duhet të përfshihen në procesin e "Ballkanit të Hapur."
Ndërsa analisti, Erl Murati, thotë se rezerva për këtë nismë nuk ka vetëm Kosova.
Murati: Nëse nuk mund të ndihmojnë nuk duhet të dëmtojnë, nuk duhet ta vendosin publikisht para faktorit ndërkombëtar Kosovën në një pozitë të vështirë dhe në pozitën e një vendi të izoluar, i cili është kundër fqinjësisë së mirë etj. Jo vetëm Kosova, por edhe Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, politikanë gjermanë kanë shprehur rezervat e tyre ndaj kësaj iniciative. Do të ishte mirë që Tirana zyrtare në këtë pikë të ndryshonte kurs, unë nuk jam nga ata që flasin për tradhti. Besoj që klasa politike shqiptare ka një qëllim të përbashkët në unison, është dashamirëse ndaj Kosovës dhe i besoj ligjërimit për vëllazëri si pozitës dhe opoziës.Por nga ana e tjetër e quaj në rastin më të mirë të pakujdesshme dhe uroj që ky presion ndasj qeverisë së Kosovës të mos vazhdojë.
