Covid-19/ Dollenberg: Procesi i vaksinimit ka stopuar, për pandeminë flitet shumë por bëhet pak
Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, ka komentuar situatën pandemike në vendin tonë.
Në një intervistë për RTV Ora, u shpreh se në vendin tonë flitet shumë për pandeminë, por nga ana tjetër bëhet shumë pak punë për përballimin e kësaj lufte.
Më tej ka bërë thirrje që mediat dhe institucionet përkatëse, duhet të kontrollojnë informacionin që japin.
Aurora Dollenberg: Në Shqipëri flitet shumë për pandeminë, por nga ana tjetër bëhet shumë pak. Është një hendek, mes të thënit dhe të asaj që bëhet me të vërtetë. Shifrat flasin vetë. Nëse në Europë janë mbi 60% të vaksinuar, po të flasim për Gjermaninë janë 80% të vaksinuar, në Shqipëri janë 80 të pavaksinuar.
Jemi fajtorë si pjesa mediatike, por edhe institucionet përkatëse, që të fokusohet këshillimi në zyrat kompetente të mjekëve dhe jo nëpër studiot televizive. Shifrat tregojnë për një proces të stopuar të vaksinimit. Kemi kaluar 9 mujorshin dhe akoma jemi te 20% e popullsisë që janë vaksinuar. Shqipëria mesa duket ka vendosur të qëndrojë në vend dhe të presë për një valë të katërt, ku mund ta gjejë të papërgatitur.
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.
