Gjiknuri prezanton shoqen Edonë në Shkodër: Do organizohemi për vendoret, kemi frymë fituese
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka prezatuar Edona Bilalin si drejtuese të Qarkut Shkodër.
Gjatë mbledhjes Gjiknuri u shpreh se është koha për të bërë një analizë të thellë dhe të saktë të rezultatit zgjedhor në të gjithë vendin, e veçanërisht në Shkodër dhe se harmonizimi i tre komponentëve kryesor, siç janë partia, deputetët dhe pushteti vendor është kyçi për arritjen e objektivave në zgjedhjet e ardhshme.
"Prezantova sot në Shkodër si koordinatoren e re të PS, ministren, shoqen tonë, Edona, e cila jam i bindur se pavarësisht se është e re, me shkathtësinë e saj dhe eksperiencën në këtë fushatë do të dijë të harmonizojë mirë interesat dhe të promovojë vlerat e duhura të çdo socialisti shkodran por pse jo edhe duke e zgjeruar partinë, duke thithur elementë të rinj aq shumë të nevojshëm.PS është në një tur jo vetëm të prezantimit të drejtuesve të rinj politik, por ka hyrë në një proces analize elektorale që do ti shërbejë riorganizimit. Ne jemi parti që nuk do presim zgjedhjet për të qenë të organizuar, por gjatë kësaj kohe do të bëjmë të gjitha organizimet për të qenë gati për zgjedhjet vendore dhe ato të ardhshme parlamentare. Diskutimet janë të vlefshme pavarësisht pikëpamjeve, e rendesishme është që kemi frymë fituese dhe do e çojmë përpara këtë" tha Gjiknuri për mediat pas takimit.
Ndërsa Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, tha se duhet të punojnë më shumë për qytetin.
"Tani kemi dhe eksperiencen e nevojshme dhe qartësinë se ku është gara dhe si fitohet. Dekoratat janë vetëm një ditë, 26 ishin këtë herë, të nesërmen filloi puna. Si Sekretariat do përpiqemi të bëjmë një analizë të plotë, për gjithë Shqipërinë dhe mbi atë analizë të punojmë për garen e ardhshme elektorale," tha Klosi.
