Lindita Nikolla viziton Kosovën për herë të parë si Kryeparlamentare, takohet me Kurtin, Konjufcën dhe Ahmetin

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Kosovë, e para vizitë e saj jashtë vendit, pas zgjedhjes në këtë detyrë. Ajo u prit nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kjo vizitë çel një kapitull të ri në marrëdhëniet parlamentare midis dy vendeve.

Takimin e parë si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla e zhvilloi me homologun e Kosovës, Glauk Konjufca. Ajo tha se vizita në Kosovë nuk është vetëm simbolikë, por tregon se nuk ka kohë për të humbur.

“Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha forumet ndërkombëtare, që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve. Të punojmë që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht, dhe opinioni botëror të bindet që Serbia ka kryer gjenocid, krime lufte.”- shprehet Nikolla.

Kryeparlamentari Konjufca, falenderoi Kryetaren Nikolla për vizitën dhe vuri në dukje se kjo vizitë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet parlamentare midis dy vendeve.

‘Republika  e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, institucionet tona, përfaqësuesit më të lartë publik, që janë zgjedhur drejtpërdrejt dhe nga vota e popullit, por edhe ata që janë emëruar në këtë sektor të ndryshëm shtetëror dhe publik , duhet të kenë parasysh që ta përfaqësojnë dhe ta koordinojnë artikulimin dhe përfaqësimin e interesit tonë kombëtar.”

Po ashtu kryeparlamentarja Nikolla takoi edhe Kryeministrin Albin Kurti, të cilin e falënderoi për ndihmën që shteti i Kosovës i ofroi Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve.

Nikolla vuri në dukje se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët dhe nënvizoi se do të nxisë bashkëpunimin midis dy qeverive e institucione homologe të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga ana e tij Kryeministri Kurti nënvizoi se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

Gjatë takimit u diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.

Gjatë takimit me Kryetarin  e Komunës së Prishtines, Shpend Ahmeti, Kryetarja e Kuvendit Nikolla bisedoi mbi përgjegjësitë dhe kontributin e qeverisjes vendore në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimit europian të Shqipërisë dhe Kosovës./ Ora News/