Reforma në Drejtësi/ Lapaj: Nevojitet Reformimi i sistemit dhe reflektimi i shoqërisë që të funksionojë

Ish kreu i Prokurorisë Shqiptare Adriatik Llalla, është dënuar me dy vite burg, Gjykata e Posaçme e Apelit.

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Ndërkohë në lidhje me këtë, avokati Adriatik Lapaj, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, është shprehur se me ligjin duhet të përballen të gjithë personat që e shkelin atë, pavarësisht pozitës që kanë.

“Me ligjin duhet të përballen të gjithë ata që e shkelin atë. Çështja është që jo vetëm të përballen me ligjin ata të cilët konsiderohen më të fuqishëm në republikë, port ë marrin dhe ndëshkimin e merituar. Drejtësia të bëhet e plotë dhe e pastër. Çdo ndëshkim që vjen në funksion të një demokracie dhe një shteti më të mirë, është i mirëpritur. “

Teksa ka folur për ecurinë e Reformës në Drejtësi, Lapaj shprehet se nevojitet reformimi i sistemit si dhe reflektimi i shoqërisë në mënyrë që të funksionojë.

“Në këtë që po ndodh duhet të reflektojmë të gjithë dhe të bëhemi krahë të kësaj që po ndodh. Reforma në drejtësi ka dy komponentë: Reformimin e sistemit në vetvete, duke nxjerrë jashtë formulës, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar të cilët nuk kanë bërë drejtësi, por nga ana tjetër kemi edhe një komponentë të dytë që është shoqëria. Nëse nuk ecim paralelisht me të dy komponentët, nuk ka për të funksionuar. Nëse ne po punojmë që të reformojmë strukturat, duhet të punojmë shumë më shumë edhe të reformojmë, aspektin social të shoqërisë. 

Të punohet nga klasa e parë tek fëmijët dhe deri sat ë dalim në jetë për të marrë përgjegjësi në raport me shoqërinë. Qytetarëve duhet t’u themi që po krijojmë premisën, që shoqëria jonë të gjej fuqinë që të dalë nga  zakoni që është krijuar në 30 vite tranzicion.

Ligji duhet të ushtrojë presion maksimal, që ata të cilët e shkelin ligjin në mënyrë maksimale të dënohet, dhe pjesa tjetër e shëndoshë e shoqërisë duhet të ketë qasje në raport me të drejtën.”