Hileja te Porto Romano, tenderi 1.2 mld euro do të jepet mbi baza subjektive

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për vazhdimin e ndërtimit të rrugës 3 të Porto Romano-Durrës me një fond prej rreth 1.2 miliardë lekësh ose 10.2 milionë euro.

Edhe në këtë rast i është dhënë rëndësi vlerësimit subjektiv krahasuar me çmimin më të ulët.

Sipas dokumentit zyrtar, oferta më e ulët, e cila në pjesën më të madhe të prokurimeve është vlerësuar me 70 pikë, këtë herë merr 50 pikë, i barabartë me totalin e pikëve të grafikut të punimeve, organizimit të stafit, propozimeve për ndikimin në mjedis, të cilat janë vlerësuar përkatësisht me 20 pikë, 15 pikë, 10 dhe 5 pikë dhe periudha e garancisë për përfundimin e projektit me 5 pikë.

Kritere specifike janë përcaktuar dhe për personelin që do të angazhohet për realizimin e punimeve të rrugës.

Garuesit duhet të kenë një drejtues teknik, 3 inxhinierë ndërtimi, një inxhinier mekanik, një elektrik, gjeolog dhe topograf.

Përveç tyre, kompanitë duhet të kenë dhe një staf mbështetës me një inxhinier ndërtimi, një inxhinier elektrik, një topograf dhe një inxhinier mjedisi.

Për secilin pjesëtar të stafit teknik dhe stafit mbështetës të tij, kompanitë duhet të paraqesin bashkë me ofertën dhe kontratat e punës, diplomën, librezën e punës dhe CV.

Ndër kriteret e vendosura, kërkohen dhe një ekspert i certifikuar që do të ofrojë ndihmën e parë dhe një punonjës që do të garantojë sigurinë e shëndetit në punë.
Për realizimin e punimeve subjekti duhet të disponojë minimalisht 250 punonjës.

Në procedurën e prokurimit është specifikuar dhe kriteri që mjetet e punës nuk duhet të jenë të angazhuara në kontrata të tjera apo të deklaruara në procedura të shpallura fitues.

Sipas njoftimit të ARRSH, kompanitë e interesuara për vazhdimin e ndërtimit të rrugës Porto Romano-Durrës do të kenë mundësi të paraqesin ofertat e tyre deri më 18 tetor.