Paga minimale 40 mijë lekë, Bundo: E barabartë me 330 euro, kaq duhet të ishte pensioni minimal

Kryeministri, Edi Rama, ka shpallur si objektiv në programin e tij qeverisës për mandatin e tretë rritjen e pagës minimale nga 30 në 40 mijë lekë të reja deri në fund të katërvjeçarit.

Pedagogut Sherif Bundo  shifra nuk i thotë asgjë. I ftuar në Ora News me gazetaren, Matilda Mcini, ai thotë se 40 mijë lekë janë 330 euro, aq sa sipas tij duhet të ishte pensioni minimal.

Bundo: Programi ekonomik i qeverisjes ishte më tepër një shoë sesa një pune të menduar mirë. Një program që i mungonte analiza. Qeveria nuk bën një studim sa është minimumi jetik që një qytetar mund të jetojë në kushte normale. Duke u bazuar te minimumi jetik të vijmë te numri mesatar i pjesëtarëve në një familje dhe duke marrë numrin mesatar të të punësuarve në familje të përcaktojmë pagën minimale.

Ky do të ishte një produkt që rrjedh nga një arsyetim mbi baza racionale. A është e mundur paga minimale? Paga 40 mijë lekë duhet të ishte ovjektiv edhe i qeverisjeve të para, është 330 euro. Për mua 330 euro duhet të ishe pensioni minimal jo paga minimale, 330 euro janë aty aty me minimumin jetik. Ka shumë objektiva që fiksohen për demagogji, zhurmë mediative dhe për të ngërthyer opinionin te një shpresë.

Mbyllja e sezonit të verës pasoi edhe rritjen e çmimit të produkteve bazë të shportës. Bundo e sheh të lidhur këtë sa me faktorë të jashtëm të ekonomisë globale aq edhe me faktorë të brendshëm.

Bundo: Problemi i rritjes së çmimeve ka disa tre mujorë që ka shqetësuar të gjithë ekonominë botërore. Është pasojë e injektimit të ngutur të parasë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pasojat e politikës së injektimit të likuiditetit përmes kreditimeve, ndihmave qeveritare për të asistuar bizneset. Kriza e pandemisë ka prekur prodhimin e lëndëve të para si drithërat, pambuku, lënda drusore por edhe çmimet e disa produkteve të tjera që janë të karakterit strategjik si naftën, energjinë, rezervat në përgjithësi. Ky faktor ka ndikuar dhe ekonominë shqiptare. Por rritja e çmimeve këtu  vjen edhe për faktorë të brendshëm.

Në vendin tonë ndihmat e qeverisë dhe sistemit bankar për biznesin e prekur kanë qenë të ulëta. Ekonomia shqiptare është prekur dhe nga një fatkeqësi tjetër që nuk preket  as në programin e qeverisë,  fatkeqësia e tretë është thatësira e tejzgjatur, një shqetësim shumë i madh me të cilin ngrysen dhe gdhihen fermerët, janë dëmtuar kapacitetet prodhuese, është prekur oferta bujqësore dhe elektorale. Do të rriten çmimet. Ky inflacion që reflektohet  përmes rritjes së çmimeve në një të ardhme të afërt do të jetë edhe më i madh. Përveç faktorëve që janë globalë dhe transmetohen në ekonominë shqiptare do të ndikojnë dhe këta faktorë të brendshëm.

Rritje të fortë çmimi kanë njohur dhe apartamentet dhe pse kostot për ndërtimin e pallateve kanë mbetur thuajse të pandryshuara.

Bundo: Rritja e çmimeve në sektorin e ndërtimit duhet kërkuar te disa faktorë, së pari rritja e fluksit të turizmit në 3-4 muajt e fundit që rritën kërkesën për shtëpi dhe dhoma me qira. Gjithashtu është e lidhur me një lloj pozite monipolistike që disa kompani të mëdha që kanë pasur akses në politika, leje të ndërtimit, ndryshe nga çfarë kanë qenë politikat e deklaruara qeveritare për leje ndërtimi, ato kanë marrë leje ndërtimi, kanë ndërtuar kulla të mëdha shumëkatëshe në qendra të mëdha urbane, në mënyrë të veçantë në Tiranë dhe Durrës.

Kulla me nga 50 kate që kanë sipërfaqe të mëdha ndërtimore, mjedise për tu dhënë me qira, apartamente potenciale. Këto firma që kanë pozitë monopolitisike e imponojnë tregun, e godasin, e ndrydhin, e orientojnë, i diktojnë tregut ato çmime që kjo pozitë monopolistike u jep mundësinë. Nuk kemi konkurrencë por çmime të imponuara nga pozita monopole e disa kompanive në sektorin e ndërtimit. Sigurisht që ka dhe faktorë të tjerë.

Pedagogu Bundo thotë se krijimit të monopolove në këtë sektor i kanë dhënë një dorë të mirë pushteti qëndror dhe lokal.

Bundo: Politikat e qeverisë, procedurat dhe mënyrat e të organizuarit të tenderave për punët publike në sektorin e ndërtimit, ftesat preferenciale që bëhen përmes PPP për të ndërtuar 1 km rrugë me kosto 2 apo 3 herë më të larta sesa do të kishte qenë në kushtet normale ka rritur normat e fitimit në këtë sektor. Sa më të larta të jenë normat e fitimit në këtë sektor aq më shumë forcohen dhe konsolidohet kjo pozitë monopolitistike dhe aq më shumë kjo sjellje godet rregullin e artë të konkurrencës.