Goditi punonjësit e policisë gjatë shoqërimit, arrestohet 35-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 35-vjeçar për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Goditje për shkak të detyrës".

Sh. M., banues në lagjen nr. 15, Durrës, pas një konflikti në një lokal në lagjen nr.12, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, ka kundërshtuar dhe ka goditur mënyrë të përsëritur punonjësit e Policisë.

Ndërkohë kanë vijuar kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e subjekteve që vijojnë aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Pronari i një subjekti u procedua penalisht dhe u gjobit në masën administrative 3.000.000 lekë pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin me muzikë, në mënyrë të përsëritur, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan pajisjet muzikore.

Po kështu është proceduar penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moszbatimi i masave të autoritete shtetërore gjatë gjendjes së pandemisë”, shtetasin E. T., 37 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës, pasi është konstatuar duke vijuar në mënyrë të përsëritur, aktivitetin me muzikë, pas orarit të lejuar.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.