Memelli përgëzon Skënderbeun. Ilir Daja: Humbëm 2 pikë në Korçë

Barazimi në Korçë duket se ka ndarë në ide dhe mendime dy trajnerët e Skënderbeut dhe të Partizanit.

Migen Memelli u shpreh se skuadra e tij nuk u dorëzua asnjëherë edhe kur pësoi gol nga Partizani dhe se diferencat me ekipet e tjera nuk janë të mëdha për ekipin korçar.

“Ekipi ka bërë një super ndeshje në të dyja fazat e lojës. Në baraspeshë numerike pashë një skuadër që luftoi fort, u përball si e barabartë, nuk ra nga pjesa psikologjikë dhe kur pësoi gol. Në futboll duhet të dish të ruash grupin  siç e kishim vjet, dhe kjo u pa dhe sot dhe diferencat me skuadrat e tjera nuk janë shumë të mëdha.

Objektivat? Pikënisja e skuadrës është ndeshja e radhës, vlerësimi i saj në cilindo terren të jetë, brenda e jashtë. Mua nuk më pëlqen t’i shikoj ndeshjet nga e 6 apo 7, por të radhës, duke filluar nga Veleçiku në Kupë të mërkurën.

Kam rezervat e mia për penalltinë pasi lojtari i Partizanit ra dy tre hapa pas kontaktit në zonë, gjithsesi nuk dua të bëj polemika”.

Ndërkohë që Ilir Daja “qan” barazimin teksa nuk e fsheh zhgënjimin për rezultatin dhe sipas tij, Partizani humbi 2 pikë në Korçë.

“Kemi luajtur gjatë gjithë kohës në gjysmëfushën e Skënderbeut. Kishim shumë raste para portës, për një gabim që është i dyti rresht, por sa i përket lojës, pjesës së ekipit në dy fazat e lojës, se të rrish 90 minuta në gjysmëfushën e kundërshtarit e të mos i lësh hapësirë mbrapa është ndeshje e realizuar. Mendoj se kemi humbur 2 pikë. Gabimet e lojtarëve?  Nuk gjej asnjë lloj gabimi, të pësosh gol në atë mënyrë do të thotë që nuk ka as rreshtim gabim, as veprime gabim, topi vjen nga gjysëmthellësia, i kontrolluar 100%. Ky është i vetmi gabim në këtë ndeshje. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk jemi brilant në manovër, por sot kanë bërë mirë të gjithë lojtarët se të çash një mbrojtje me 11 lojtarë para zonës, nuk është aq e lehtë. Goli i jep një lloj tjetër qetësie ekipit”, tha trajneri Daja.