"O të zhvesh unë ty sot uniformën o s'ka!" E pëson keq "i forti" me Audi në Durrës

E ka pësuar keq i riu nga Durrësi, i cili në gjendje të dehur debatoi ashpër me policinë pasi kjo e fundit i ndaloi makinën për xhamat e veshur.

Alert Karamani shfaqet në një video të publikuar në rrjetet sociale duke u konfliktuar me policët duke i kërcënuar ata me fjalë dhe veprime.

“O do të zhvesh unë ty sonte uniformën o s’ka. Unë të flas si burri-burrit, kurse ti më bën k**vën mua në telefon” dëgjohej ai në video duke iu drejtuar njërit prej policëve të patrullës.

Policia sqaron sot se nga kontrollet e kryera nga shërbimet e Policisë ka rezultuar se shtetasi  Karamani drejtonte nën efektin e alkoolit, në masën 0.35 mg/l, mjetin tip “Audi”, me xhama të riveshur. 

Gjatë kontrollit dhe veprimeve policore, ky shtetas i ka kundërshtuar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, 25 vjeçari, banues në lagjen nr.14, Durrës, është proceduar penalisht për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë" dhe “Kanosja për shkak të detyrës".

Gjithashtu, këtij shtetasi i është pezulluar përfundimisht leja e drejtimit, pasi e ka në mënyrë të përsëritur këtë shkelje (drejtim mjeti nën efektin e alkoolit).