Në marrjen në pyetje të Pecorellit edhe hetues shqiptarë, kërkohen bashkëpunëtorët në planin e zhdukjes

Prokurorët italianë do të marrin në pyetje biznesmenin Davide Pecorelli, i cili u gjet i gjallë në një ishull ku fshihej pas zhdukjes 8 muaj më parë në Shqipëri. Ndërkohë policia shqiptare ka nisur hetimet për personat që kanë ndihmuar 47-vjeçarin italian për të inskenuar djegien e automjetit në zonën e Pukës, vendosjen e kockave brenda kabinës dhe më pas largimin në mënyrë ilegale nga Shqipëria drejt Italisë.

Sipërmarrësi italian, Davide Pecorelli, i cili u gjet i gjallë pasi ishte shpallur i zhdukur në Shqipëri, do të dëshmojë para prokurorëve italianë.

Avokati i Davide Peçorellit, Giancarlo Viti, ka pohuar për RTV Ora se klienti i tij do të merret në pyetje nga prokurorët e Perugias.

Në hetimet për personin e cilësuar nga shtypi italian 'biznesmeni që tentoj të bëhej i padukshëm' janë të përfshira edhe autoritetet shqiptare.

Këta të fundit bëjnë me dije se gjetja e Pecorellit ka rihapur edhe njëherë disa pista të tjera.

Për këtë çështjë policia shqiptare dhe departamenti i policisë kriminale ka nisur punën për të zbuluar se kush janë personat që kanë ndihmuar italianin për të kryer gjithë lëvizjet në vendin tonë, që nga zbritja e tij në Rinas, udhëtimet nga jugu në veri deri tek djegia e makinës në Pukë dhe në fund largimi i mistershëm i tij nga Shqipëria.

Duke qenë se zona në të cilën është gjetur makina tip "Skoda Fabia", e cila ishte marrë me qira nga 47-vjeçari, ndodhet në kufi me Malin e Zi, nuk përjashtohet mundësia e largimit të tij nga ky itinerar në rrugë informale.

Përsa i përket mbetjeve kockore në automjetin e djegur, nga policia ende nuk është dhënë një përgjigje e vlefshme, ndërkohë që kohët e fundit thonë burimet nuk ka pasur denoncim për dhunim varresh.

Ish-arbitri i sportit, Davide Pecorelli, prej vitesh sipërmarrës i salloneve të bukurisë ka mbëritur në ishullin e Giglios, të mërkurën më 15 shtator.

Me flokë të lyer biond e me dokumenta falso ai ka qëndruar në një hotel të zonës ku ka marrë me qira një gomone.

Policia shqiptare është në pritje të dëshmisë së biznesmenit në Itali për të mësuar prej tij nëse tregon personat me të cilët ka bashkëpunuar për inskenimin e ngjarjes.