Nxirret pa jetë minatori, trupi i Muharrem Plakut u gjet pas pesë ditësh kërkimesh

Familja e minatorit, Muharrem Plaku, ka marrë lajmin e keq pas kërkimeve 5 ditore për  trupin e 61-vjeçarit të bllokuar nëntokë nga shembja masive në galerinë nr.3 në Bulqizë. Trupi i pa jetë është gjetur gjatë orëve të natës, ndërkohë tashmë policia ka nisur hetimet duke shoqëruar drejtuesin teknik dhe inxhinierin e kompanisë që menaxhonte galerinë ku ndodhi shembja masive. 

Trupi i pa jetë i minatorit 61-vjeçar, Muharrem Plaku, u nxor i pa jetë nga galeritë e minierës së Bulqizës pas 5 ditësh kërkime.

Pas largimit të qindra metër kub materiali nga shembja e brendshme në galerinë nr 3, trupi i minatorit është gjetur gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës.

Në prani të grupit të hetimit, trupi i minatorit është nisur nga zona e parë e nëntokës ku edhe gjeti vdekjen, për tu dërguar në morg ku janë kryer e ekzaminimet mbi kohën dhe shkakun e vdekjes.

Më pas autoambulanca ka përcjellë drejt familjes trupin e minatorit për kryerjen e riteve mortore.

Sipas hetimeve, minatori 61-vjeçar Muharrem Plaku mbeti i bllokuar ne galeri në zonën D, 450 metra thellesi në datën 15 shtator.

Verifikimet në vendin ku është gjetur viktima i kanë bërë hetuesit të mendojnë se në momentin e shembjes se masivit shkëmbor brenda minierës, Muharrem Plaku është futur në një boshllek për tu mbrojtur në një katror të ndërtuar prej druri, i cili vendoset në sektorët e galerive ku ka rrezik shembjeje.

Megjithatë për shkak të shembjes së dheut dhe të masivit shkëmbor ka qenë e pamundur që xhepi i emergjencës të shpëtojë jetën e 61-vjeçarit pasi katrori ku ishte futur Muharrem Plaku është shembur nga pesha.

Galeria nr.3 ku ndodhi ngjarja menaxhohet nga subjekti "KADURTEX sh.p.k." ndërkohë që pas vdekjes së minatorit, policia ka shoqëruar inxhinierin teknik si dhe përgjegjësin e punimeve të galerisë për ti marrë në pyetje.