Përdhunuan 15-vjeçaren në Mirditë, prokuroria mbyll hetimet për 5 të akuzuarit

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të 5 personave, të cilët u arrestuan në muajin maj të këtij viti për abuzim seksual me dhunë me një vajzë 15-vjeçare në Mirditë.

Ndaj shtetasve Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe 17-vjeçarit me iniciale A.GJ të cilët vijojnë të jenë me masen e sigurisë "Arrest në burg" është ngritur akuza "Marrëdhënie seksuale me të ose homoseksuale me dhunë me të mitur " e kryer në bashkëpunim.

Organi i akuzës shprehet se ka provuar se 5 burrat kanë abuzuar seksualisht me 15-vjeçaren.

Por kjo është mohuar nga të pesë të akuzuarit ndërsa palët do të përballen në gjykatë brenda këtij muaji.

Ngjarja është zbardhur pas denoncimit të një vajze 15-vjeçare.

Personi i parë që ka abuzuar me të mituren është 32-vjeçari Artan Kaçorri.

Ky i fundit kishte patur lidhje me vajzen dhe në muajin mars madje i kishte blerë dhe një telefon për të komunikuar me të.

Në dosjen e akuzës thuhet se Kaçorri, i cili është i martuar, kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime, të cilët më pas ju ka shpërndarë dhe të akuzuarve të tjerë.

Shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptojnë edhe familjarët e saj, ndërsa përballë kërcënimeve të vazhdueshme edhe e mitura më në fund kishte vendosur të rrëfejë atë çfarë i kishte ndodhur.