Kriza në PD dhe Kuvendi, Basha mbledh kryesinë e grupit parlamentar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të mbledhë sot në orën 12 kryesinë e grupit parlamentar.Priten diskutime edhe në lidhje me zhvillimet e brendshme.

"Është një mbledhje që vjen në kuadër të organizimit të jetës parlamentare dhe nisjes së komisioneve parlamentare. Do të jetë dhe diskutime sa i përket zhvillimeve të brendshme të PD. Por kryesisht është një mbledhje kordinuese për qëndrimet që do mbajë PD në komisionet parlamentare por edhe sa i përket daljeve publike të deputetëve të kësaj force politike dhe zyrtarëve të lartë të PD duke nisur me qëndrimet që do të mbahen me zhvillimet e brendshme dhe si rrjedhojë me zhvillimet të ardhura pas përjashtimit nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit Berisha por edhe qëndrimet publike për çështje të tjera si ekonomia etj që do të jenë pjesë e diskutimeve parlamentare në ditët e ardhshme" raportoi nga selia blu gazetari Everest Dedaj.

Ora News mëson se ka tentativa nga aktorë brenda dhe jashtë PD-së për ta bërë sa më të lehtë kalimin e kësaj krize të brendshme në PD.

"Ka aktorë politike jo vetëm të PD por edhe të jashtëm që po mundohen të jenë një urë lidhëse mes lidershipit aktual të PD dhe ish-kryeministrit Berisha në mënyrë që ky konflikt mes tyre të amortizohet" raporton gazetari i Ora News, Everest Dedaj.

Më herët edhe Partia Socialiste mblodhi kryesinë e Grupit Parlamentar, për të diskutuar lidhur me shtyrjen e afateve të Vettingut, për të cilat kërkohet ndërhyrje në Kushtetutë.

Mazhoranca nuk i ka e vetme votat e mjaftueshme në Kuvend (77 nga 92 që i duhen), për këtë arsye është e nevojshme bashkëpunimi me opozitën.

Rama në seancën e fundit ku u votua programi politik dhe qeveria e re, u shtriu sërish dorën opozitës, megjithatë theksoi se në rast se nuk do të kenë gatishmërinë e tyre, për reformat e rëndësishme si ajo zgjedhore apo kushtetuese, do e bëjnë me popullin.