Brdariç kërkon hakmarrjen ndaj Teutës: Mezi e presim sfidën, do të jetë ndeshje e madhe
Fillimisht titulli i humbur për golavarazh, më pas humbja në Superkupë dhe tani sfida e parë në kampionatin 2021-2022. Te Vllaznia kanë një dëshirë të madhe për hakmarrje ndaj Teutës për ato disfata dhe në konferencën për shtyp të trajnerit Thomas Brdariç u pa qartë se skuadra është e uritur për të fituar ndaj durrsakëve, shkruan Ora News.
“Të gjithë mezi po e presim këtë ndeshje dhe jemi gati! Të gjithë janë të inkurajuar për të dhënë kontributin e tyre dhe për t’u përmirësuar. Kjo është një thirrje edhe për tifozat tanë, duam që të jemi gati në çdo lloj mënyre të mundshme. Nesër është një ndeshje e madhe, do të luajmë me Teutën, kemi disa gjëra pezull me ata. Nuk duhet të flasim shumë, të gjithë janë mëse të përqendruar për ndeshjen”.
I ngacmuar nga gazetarët për fjalët se ka pezull diçka me Teutën, trajneri i ekipit shkodran pohon sërish se skuadra duhet të reagojë dhe të ketë kuptuar mësimin që mori në Superkupë.
“Kemi një dëshirë mjaft të madhe për të marrë 3 pikët. Duhet të punojmë fortë, në mënyrë që të arrijmë sa më mirë te zona e finalizimit dhe për të qenë sa më konkret dhe cinikë në rastet tona. Gjithashtu lojtarët duhet të punojnë fortë, të bëjnë maksimumin, ndonjëherë të shkojnë edhe përtej limiteve të tyre për të marrë maksimumin. Përvoja të kaluara si ajo e ndeshjes së fundit me Teutën në Superkupë, janë përvoja që dhembin, por ne do të përpiqemi të mësojmë sa më shumë nga to. Synojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv. Fitorja ndonjëherë arrihet edhe me 1 gol, nuk i dihet kurrë, sepse varet edhe si shkon ndeshja. Shënuam 5 gola, ishte ndeshje e mirë, tani radhën e ka sfida tjetër”.
Në fund, Brdariç konfirmoi stilin ofensiv të Vllaznisë i cili nuk do të ndryshojë teksa foli edhe për çmimin e biletave e gjithashtu për formacionin…
“Ne si Vllazni, jemi një ekip ofensiv. Ne nuk duam të ndryshojmë parimet dhe bazat tona në lidhje me këtë gjë. Mendoj se dhe tifozët identifikohen më këtë lloj loje që ne bëjmë, dhe e shikojnë veten e tyre te kjo lojë që ne bëjmë. Kjo krizë e justifikon disi rritjen e çmimeve të biletave, për të rikuperuar disi, por unë mendoj se e mira është që të gjendet një balancë për çmimin. Nuk është detyra ime që të flas për aspketin financiar. Detyra ime është që të përgatis ekipin në fushë dhe të dalim sa më mirë në ndeshje. Duhet që të gjithë të jemi të kënaqur për çmimet e biletave. Formacioni? Për mua është e rëndësishme që bërthama e grupit të jetë e shëndetshme. Çdo kush duhet të jetë i duruar, do t’i vinë mundësitë e tij. Do luajmë 3 ndeshje brenda javës, do vijë koha që secili lojtar do të ketë minutat e veta”, përfundoi trajneri gjerman.
