Betejë për 1 pikë, Dinamo dhe Laçi barazojnë 1-1 në “Elbasan Arena”

Java e dytë Abissnet Superiore ka nisur me një barazim në sfidën Dinamo-Laçi. “Nëndetësja” e rikthyer këtë vit mes më të mirëve bëri një paraqitje të mirë por përballë pati një Laç që nuk u dorëzua në asnjë moment në “Elbasan Arena” duke barazuar në minutat e fundit sfidën që u mbyll 1-1.

Ndeshja ishte e bukur dhe me emocione dhe nisi me një minutë heshtje në nder të Ylli Mihalit, fizioterapistit të Kombëtares që humbi jetën nga covid-19.

Edhe pse minutat e para ishin pak të paqarta për të dyja skuadrat, ishte Dinamo që rriti presionin dhe krijoi raste shënimi. Agim Ibraihimi tentoi me një goditje dënimi që pothuajse preku shtyllën ndërsa Zarubica u përgjigj me një gjuajtje të fortë.

Gjithsesi, Demiri me një tjetër gjuajtje vuri në prove Sherrin por episodi që mund të ndryshonte ndeshjen ishte në 42’ ku Sofranac pas një harkimi nga e majta, me kokë shënoi dhe me ndërhyrjen e VAR u anulua e që në fakt ka vend për dyshime këtu.

Pjesa e dytë nis më mirë për Dinamon që në 53’ kalon në avantazh pas një autogoli të Shehut i cili ishte i pafat në gjuajtjen me kokë e cila shkoi në portën e tij.

Laçi përgjigjet në 58’ me një rast të pastër shënimi nga Guindo i cili thuajse me portën e boshatisur godet shumë keq.

Futja e Mazrekaj nga trajneri Vukiçeviç te Laçi ndryshoi për mirë situatën te kurbinasit të cilët falë një skeme perfekte në minutën e 90 arritën të barazonin 1-1 me anë të Ruganoviç. Edhe pse u hap sistemi VAR për një pozicion të dyshimtë, goli u konsiderua i rregullt.

Një barazim që duke parë lojën, është rezultati më i drejtë për këtë sfidë të parë të javës së dytë të Abissnet Superiore shkruan Ora News.