Shkëmbi: Barazimi nuk është fundi i botës. Vukiçeviç vlerëson reagimin e Laçit
Pas ndeshjes me Dinamon, trajnerin i Laçit, Vukiçeviç foli për barazimin në “Elbasan Arena” ku vuri theksin në reagimin e skuadrës pas asaj humbjeje me Vllazninë në ndeshjen e parë.
“E kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen, jam i kënaqur me shumë gjëra që treguam ndaj Dinamos. Kemi luajtur më mirë dhe kemi kontrolluar ndeshjen dhe humbëm shumë raste për të shënuar. Pas ndeshjes me Vllazninë, ekipi tregoi karakter, nuk pranon të humbasë në fushë dhe unë besoj te cilësitë e tyre. Mendoj se puna gjithmonë jep frytet e saj, ne erdhëm për të fituar ndaj Dinamos. Nuk e arritëm por as nuk humbëm. Lënia jashtë e Mazrekaj? Dihet që ka vlera por fizikisht nuk është në 100% të formës dhe ishte një ndryshim taktik që qëndroi jashtë në këtë ndeshje. Me ndeshjen e parë nuk isha i lumtur dhe na kushtuan gabimet invividuale, fola shumë me skuadrën pas Vllaznisë për të analizuar humbjen. Futbolli shqiptar? E njoh shumë mirë kampionatin shqiptar dhe jo vetëm për Laçin. Mendoj se është rrugëtim i gjatë dhe unë kam ardhur për të fituar”, përfundoi trajneri malazez.
Nga ana tjetër, foli edhe trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi i cili “qau” rastet e humbura por reklamoi edhe një penallti të pa dhënë për ekipin e tij.
“Goli i pësuar nuk erdhi nga relaksimi ynë por i lejuam hapësira kundërshtarëve. Mendoj se duhej të kishim shënuar golin e dytë sepse patëm raste. U përmirësuam me kalimin e minutave por në futboll dihet që rastet që të vijnë duhet t’i shënosh. Ishte një penallti për ne, duhet të vazhdojmë përpara tani. Objektivat? Personalisht mendoj se do të bëjmë një kampionat shumë të mirë, jam i bindur duke parë grupin që kam. Klubi ka bërë një organizim të mirë dhe ka investuar për lojtarë cilësorë ndaj jam edhe optimist. I mërzitur për barazimin? Kundër Laçit një barazim nuk është fundi i botës por kur fitorja të ikën në fund mund të mërzitesh”, deklaroi trajneri i dinamovitëve në fund të ndeshjes.
