Raiola: Pogba mund të kthehet te Juve. Donnarumma nuk tradhtoi askënd

Mino Raiola është një nga agjentët më të fuqishëm në Europë. Njeriu që negocion të ardhmen e shumë yjeve të futbollit botëror ka folur hapur për dy klientë të tij që janë përfolur shumë gjatë kësaj vere të cilët janë Gigi Donnarumma dhe Paul Pogba.

Për të parin, Raiola sqaron largimin e portierit italian nga Milani duke iu përgjigjur tifzëve kuqezinj të cilët e kanë kritikuar ish kapitenin e tyre.

"Më vjen keq për mënyrën se si u trajtua Donnarumma. Ai bëri një zgjedhje të jetës, nuk kishte tradhti në këtë mes. Ai mund të ishte larguar 4 vjet më parë dhe nuk e bëri. Nëse Gigi ishte afër Juventusit? Unë mendoj se Juventusi ende ka një keqardhje të madhe që nuk e mori lojtarin, dhe jo vetëm Juventus. Nuk ka luftë mes Gigio dhe Navas në PSG, Gigio do të luajë dhe nuk diskutohet”.

Ndërkohë ashtu siç foli për Donnarummën, agjenti i fuqishëm, foli edhe për francezin Paul Pogba për të cilin u fol se e kërkonte Reali e PSG por Raiola zbulon një destinacion tjetër.

“Kontrata e Pogba përfundon vitin e ardhshëm. Ne do të flasim me Manç. United dhe do të shohim, sigurisht që Juventusi ka mbetur në zemrën e tij dhe ai kujdeset shumë për këto gjëra. Mundësia që ai të kthehet në Juventus është atje, por gjithashtu varet nga Juventusi".

Kjo shprehje e fundit lidhet me ofertën që do të bëjë klubi bardhezi e njëkohësisht edhe sa kompetitiv do të jetë skuadra e Agnellit e cila këtë verë humbi një lojtar si Cristiano Ronaldo.