Rama: S'ka udhëtime e darka qejfi me paratë e shtetit, do ketë përgjegjësi dhe ndëshkime

Pas betimit të Meta, kryeministri Edi Rama ka mbledhur për herë të parë në kryeministri qeverinë e re të tij të mandatit 3.

Ai u shpreh se nuk mund të organizohen festa dhe udhëtime me paratë e shtetit duke postuar foto duke shkelur kodin e etikës.

Rama shtoi se asnjë anëtar i qeverisë nuk duhet të udhëtojë në biznes klas, pushime jashtë vendit, jo darka në restorante kur janë në punë në Tiranë.

Rama: Nuk mund të organizohen festa me paratë e shteti, apo që të ndërmarrin udhëtime turistike ku postojnë foto. Asnjë udhëtim me lekët e shtetit, për asnjë drejtues institucioni. Për çdo shkelje etike do të parashikohen ndëshkime dhe sanksione. Të gjitha shpenzimet e çdo institucioni që nuk raporton shpenzimet kur udhëton jashtë, nuk do të paguhet nga shteti. Nuk mund të ikësh dhe të vish për punë shteti dhe të mos regjistrohet asgjëkund.

Asnjë anëtar i qeverisë nuk duhet të udhëtojë në biznes klas, pushimet jashtë vendit, jo darka në restorante kur janë në punë në Tiranë. Do të përcaktohen shprehimisht të gjitha detajet për të gjitha këto çështje. Duhet përcaktuar se bashkëshortët dhe fëmijët e anëtarëve të kabinetit nuk mund të përdorin sallën VIP të aeroportit përveçse kur janë me ministrat. E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e makinave zyrtare.Nëse nuk respekton një prej këtyre pikave ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë, në rast përsëritje duhet të japë dorëheqjen.