Reforma në Drejtësi, Rama: Nëse ju akuzon drejtësia nuk ju mbrojmë. Askush që ka llogari të hapur me ligjin nuk fle më i qetë

Kryeministri Rama e ka konsideruar një proces të gjatë dhe të vështirë Reformën në drejtësi, por jo të pamundur. Kryeministri tha se sot Toka lëkundet nën këmbët e atyre që dikur vrisnin dhe prisnin dhe i shikonin Prokuroritë si shampo e Gjykatat si krehër. Sipas kryeministrit të gjithë që kanë llogari të hapura me ligjin nuk janë të qetë dhe nuk e shmangin dot ditën e gjykimit. 

Rama: "Ne e kemi besuar që në pikënisje dhe besojmë edhe më shumë sot reformën në drejtësi me vetëdijen që rezultatet kuptimplota që të gjithë shqiptarët presin prej saj nuk vijnë as kollaj, as shpejt. Të ndërtosh nga e para një proces të pavarur gjyqësor në vend të një pushteti të kalbur drejtësie është njësoj si të transplantosh krejt një kolonë vertebrore të kalbëzuar me një të re. Duhet një operacion i gjatë dhe i vështirë. Sa herë që e humbasim durimin dhe drita e largët në fund të tunelit ende të gjatë ët reformës në drejtësi nga humbet nga sytë le të kujtohemi se kur u nisëm s'kishte as tunel, por vetëm një terr te plotë ku çekiçi i gjyqtarëve të korruptuar në nivelet më të larta bënte kërdinë, ndërsa pandëshkueshmëria e më të fortëve të çdo lloji legenoste Shqipërinë.

Sot Toka lëkundet nën këmbët e atyre që vrisnin dhe prisnin dhe e shikonin ligjin nga lart poshtë duke i përdorur Prokuroritë si shampo dhe Gjykatat si krehër për t'i bërë karshillëk me flokët përpjetë dhe kokën edhe më përpjetë një populli të tërë. Tani askush që ka llogari të hapur me ligjin nuk fle më i qetë. Kokat e botës së krimit janë pas hekurave ose brenda skutave ku vetëm e shtyjnë në kohë por nuk e ndalin dot ditën e llogarisë para Gjykatës. "

Rama u shpreh se nëse ju akuzon drejtësia, qeveria nuk do të mbrojë asnjë. Qeveria, u shpreh Rama do të inkurajojë  fuqizimin e mekanizmave të njohur në luftën kundër korrupsionit. 

Rama: "As qeveria dhe asnjë nga ne 74 të mandatarit nuk do të përdorë as mikrofonin dhe kartonin për të mbrojtur këdo qoftë nga akuzat e organeve të drejtësisë. Në çdo nivel të ekzekutivit apo në drejtimin e qeverisjes vendore që mund të vendosen në akuzë të mbrohet vetë. Qeveria do të inkurajojë me fuqizimin e mekanizmave të njohur, apo inovativë nxitës të qytetarëve dhe mediave luftën kundër korrupsionit. E kemi besuar dhe e besojmë edhe më shumë sot reformën në drejtësi."