Kuvendi nis me debat mes Ballës dhe Alibeaj për komisionet e përhershme parlamentare

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i ka kërkuar grupit të PD të ndreqë gabimet në përbërjen e komisioneve përhershme parlamentare.

Balla thotë se deputetët e opozitës bëjnë pjesë në vetëm një komision, kurse e drejta për në dy i lind vetëm mazhorancës. Balla ka falenderuar opozitën për dakordësinë e arritur që të vazhdonte seanca e ditës së sotme.

Balla: "Kërkova fjalën për procedure lidhur me një çështje që u diskutua seancën e kaluar dhe që mendoj se grupi parlamentar i PD do ta ketë reflektuar. Për ta sqaruar dhe që të jetë objekt i punës është që parashikimi i rregullores  ka parashikuar që deputetët e opozitës bëjnë pjesë vetëm në një komision parlamentar, me përjashtim të komisionit të integrimit. Partia Socialiste është e vetmja që është në këtë shumicë dhe bën pjesë në 2 grupe parlamentare. Për të ruajtur këtë balancë do t'i kërkoja grupit të PD që deri në seancën pasardhëse të ndreqë ndonjë gabim që mund të jetë bërë dhe një deputet të jetë vendosur në më shumë se 2 komisione. E fundit, dua ta falenderoj opozitën për dakordësinë që parëm dje për të shkuar para në këtë seancë ku çdo deputet do ketë fjalën e tij."

Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur duke u shprehur se shpërndarja e deputetëve të opozitës është bërë në përputhje të rregullores. Ai gjithashtu tha se nuk ka nevojë për asnjë falenderim, duke qenë se vetëm është respektuar rregullorja. 

Alibeaj: "Së pari nuk ka nevojë për falenderim sepse nuk bëtë gjë tjetër veçse respektuar rregulloren. Më në fund për njërën nga çështjet dhe për ta marrë vesh të gjithë një nga kërkkesat që kishim ne ishte që programi qeverisës i cili është i panjohur për deputetët dhe qytetarët do duhet të kishte një minimum kohe të paktën 2-3 ditë që publiku dhe deputetët të njihen. Nëse ju keni synim dhe dëshirë për të kufizuar anëtarësinë e opozitës, për t'i hequr numrat opozitës përsa i përket komisioneve parlamentare siç e keni bërë zakon që në 25 prill, kjo është çështje që s'ka për të ecur. Deputetët tanë janë të shpërndarë në komisione në përputhje me rregulloren. "